Shqipëria

Konfindustria: Të ulet çmimi i karburantit, treg oligopol


Për shkak se monedhat e huaja janë zhvlerësuar – sipas Konfindustria – çmimi i karburantit në vend duhet të ulet.

Konfindustria ka deklaruar se edhe pse leku është forcuar në nivele historike, përsëri çmimi i karburantit nuk ka pësuar ulje.

Thuhet se shkak për këtë situatë është tregu i organizuar në formën e kartelit dhe oligopolit si edhe mosveprimi i institucioneve për të rregulluar këtë situatë.

Referuar deklaratës, Shqipëria ka çmimin më të lartë të karburanteve në rajon, ku nafta e benzina shiten afër 1.8 dhe 1.85 euro/litri, nga 1.1 euro në Kosovë.

Konfindustria vlerëson se çmimet e larta të karburanteve në vend po dëmtojnë qytetarët dhe bizneset që po përballen me kosto të larta

“Konfindustria vlerëson se forcimi në nivele historike i Lek-ut ndaj Dollarit dhe Euro-s nuk po ndikon në uljen e çmimeve të karburanteve në vend. Tregu i karburanteve në Shqipëri, i organizuar në formën e kartelit dhe oligopolit si edhe mosveprimi i institucioneve rregullatore, nuk e përcjell forcimin e Lek-ut në uljen e çmimeve fundore për qytetarët dhe bizneset”.

Sipas njoftimit, fuqizimi i Lek-ut ka arritur në muajin prill dhe maj 2024 nivele të krahasueshme me periudhën e kulmit të sezonit turistik 2023. “Ndërkohë, Shqipëria vazhdon të ketë çmime të tepër të larta të karburanteve në krahasim me shtetet e tjera të rajonit si Kosova dhe Maqedonia”.

Konfindustria dallon se çmimet e karburanteve në Shqipëri në muajin prill dhe javën e parë të majit 2024 janë të paktën 25-30 lek më të shtrenjta sesa në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Konfindustria vlerëson, se çmimet e larta të karburanteve në Shqipëri përcillen si inflacion i drejtpërdrejtë te qytetarët, rritjen e kostove të bizneseve prodhuese dhe uljen e fuqisë konkurruese përballë importeve me pasja tepër të rënda në afatgjatë për ekonominë kombëtare. Përveç çmimeve të larta tregu i karburanteve paraqet shqetësime serioze edhe për sa i përket cilësisë së dobët dhe vjedhjeve në volumet e shitjes me pakicë për qytetarët dhe bizneset”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore