Lajme

Pahor: Jam duke u përgatitur për ta udhëhequr dialogun – kandidatura dorëzohet gjatë javës në Bruksel


Borut Pahor

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i cili synon të marrë rolin e Emisarit Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, në një intervistë për transmetuesin publik slloven të dielen, njoftoi se kandidatura zyrtare për pozitën e udhëheqësit të procesit të negociatave pritet t’i dorëzohet gjatë javës së ardhshme zyrës së shefit të diplomacisë evropiane.

“Jam duke u përgatitur me shumë kujdes dhe përgjegjësi. Dhe ndoshta këtë javë kandidatura zyrtare do të dorëzohet në Bruksel, në të cilën do të shpjegoj arsyet pse ndihem i përshtatshëm për ta zgjidhur këtë çështje. Sllovenia ka statusin e një ndërmjetësi të ndershëm, duke pasur përvojë në këtë rajon dhe një sërë idesh se si të ringjallet apo rifreskohet dialogu”, theksoi ai.

E një prej protagonistëve kryesorë që aktualisht mban barrën më të rëndë në kuadër të procesit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të nisë mandatin në kryeqytetin zviceran, Bern, më 1 shtator 2024.

Për emërimin e ndërmjetësit të ri në dialog, vendet anëtare të BE-së pritet të vendosin gjatë verës, ndërsa blloku përgatitet për raundin e ri të zgjedhjeve evropiane – cikli i ri elektoral për ulëset e Parlamentit Evropian (PE) në qershor pritet të përcaktojë edhe dinamikën e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore