Shqipëria

Berisha: Alibeaj paditi PD-në, nuk është më kryetar i Grupit Parlamentar


Ish-lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, fill pas mbledhjes së Grupit Parlamentar pranë selisë blu, përpara mediave, deklaroi se Enkelejd Alibeaj “pushon së qeni kryetar”.

Vendimi i Berishës për të larguar nga detyra si kryetar i Grupit vjen pasi Alibeaj ankimoi në Gjykatën e Apelit vendimin e njohjes së Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit – i thirrur nga Berisha me konfirmimin e rreth 5 mijë delegatëve demokratë, ku dhe u formua Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD-së.

“Padia s’ka asnjë bazë dhe është në njëfarë mënyre të mos pranosh një proces që sot e njeh çdo shqiptar. Është veprim shumë i gabuar, i shërben qeverisë”, tha Berisha në fjalën e tij.

Kujtojmë që Gjykata e Tiranës më 25 mars ka njohur ndryshimet e statutit të dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit.

Menjëherë pas këtij vendimi Komisioni i Rithemelimit ka marrë drejtimin e selisë blu.

“Nuk ka asnjë tagër, pasi e konsideron veten kryetar të komanduar. Ai nuk ka asnjë funksion”, e përmbylli Berisha.

Kujtojmë që Berisha ka deklaruar se, deri në momentin që do të mblidhet Këshilli Kombëtar në krye të Grupit Parlamentar, do të vijonte të qëndronte Enkelejd Alibeaj.

Ndërsa ky i fundit, i cili mori dhe drejtimin e PD-së pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, si kryetar i Komanduar, ankimoi vendimin e Gjykatës më 4 prill.

Por, Komisioni i Rithemelimit në daljet e tij publike e ka cilësuar si “nul” veprimin e tij, duke u shprehur se, “Alibeaj është i shkarkuar si nënkryetar i partisë dhe, për pasojë, nuk plotëson asnjë kriter legjitim për t’u ankuar”.

Nga ana tjetër, Alibeaj e cilësoi vendimin e Gjykatës si “një vendim në nivelet e skandalit”. Ndërkohë ai bëri të ditur se penalisht është kallëzuar edhe gjyqtari Agron Zhukri.

Ky i fundit, sipas tij, ka nxjerrë një vendim pa dosje e fakte dhe pa patur palët.

Sakaq, Alibeaj ka vijuar se dosjet janë në Gjykatën e Apelit dhe, për rrjedhojë, gjyqtari, sipas tij, nuk i ka poseduar këto prova.

Nga ana tjetër, më 18 mars u njohën edhe vendimet e Kuvendit të PD-së të mbajtur më 17 korrik.

Kjo do të thoshte se, çdo akt i organeve të PD-së, i ndërmarrë para hyrjes në fuqi të këtij Statuti dhe që bie në kundërshtim me dispozitat e tij, shfuqizohet automatikisht me hyrjen në fuqi të Statutit të 11 dhjetorit.

Konkretisht me njohjen e statutit të 11 dhjetorit ra vendimi i Bashës, i cili një ditë përpara fillimit të punimeve të Legjislaturës së re – më 9 shtator 2021 – përjashtoi Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së.

Ky vendim i Bashës erdhi pas shpalljes së ish-kryeministrit dhe familjes së tij si persona non-grata nga SHBA-të.

Pikërisht ky vendim i Departamentit Amerikan të Shtetit, më 19 maj të vitit 2021, do të sillte një përçarje “të thellë” të demokratëve.

Por, si kundërpërgjigje ndaj “përjashtimit nga Basha”, Berisha nisi menjëherë një aksion, duke mbajtur një seri foltoresh për të mbledhur firmat për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore