Shqipëria

Gjykata pranon ankimimin e PD-së, merr në shqyrtim vendimin e Zhukrit


Gjykata e Tiranës ka pranuar ankimimin e Partisë Demokratike, përfaqësuar nga kryetari i Grupit Parlamentar Enkelejd Alibeaj lidhur me vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri.

Ky i fundit njohu Kuvendin e 11 dhjetorit të ish-kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

Më 25 mars, Alibeaj, fill pas vendimit të njohjes nga gjykata të ndryshimeve statutore të dala nga Kuvendi Kombëtar i PD-së më 11 dhjetor – i thirrur nga ish-lideri Sali Berisha – deklaroi se, siç parashikon ligji, do ta ankimojnë këtë vendim.

“Siç e parashikon ligji pas zbardhjes së vendimit mund të ankimohet brenda pesë ditëve dhe ky do të jetë veprimi i radhës nga ana jonë”.

Duke e cilësuar si një vendim në nivelet e skandalit, Alibeaj bëri të ditur se do të ketë kallëzim penal për gjyqtarin Agron Zhukri.

Ky i fundit, sipas tij, ka nxjerrë një vendim pa dosje e fakte dhe pa patur palët.

Sipas tij, që një vendim të ketë efekt, palët duhet të jenë prezentë dhe kjo u është mohuar nga gjykata.

Sakaq, ai ka vijuar se dosjet janë në Gjykatën e Apelit dhe, për rrjedhojë, gjyqtari, sipas tij nuk i ka poseduar këto prova.

“Janë element që për këdo i lind e drejta të paraqesë një kallëzim penal për shpërdorim detyre të gjyqtarit”, theksoi Alibeaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore