Lajme

Gërvalla dhe Maqedonci marrin pjesë në konferencën dy ditore të “Defence24 Days”


Defence 24 Days - konferenca për siguri.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti do të marrin pjesë në konferencën dy ditore “Defence 24Days”, e cila do të mbahet në Varshavë.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate nga MPJD, dërguar mediave.

“E cila i kushtohet çështjeve që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë, sfidat dhe situatën aktuale dhe të ardhshme gjeopolitike, parandalimin dhe mbrojtjen në epokën e luftës”.

“Si një prej konferencave më të mëdha dhe më të rëndësishme të sigurisë në Evropë, “Defence24 Days” është një mundësi e mirë e diskutimit mes përfaqësueseve më të lartë shtetërorë, ekspertëve, civilëve dhe ushtarakëve, rreth sigurisë dhe mbrojtjes në Evropë”, thuhet në komunikatë.

Përmes diskutimeve në panele është thënë se Kosova do të paraqesë pikëpamjet, angazhimin dhe kontributin e saj në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Gërvalla, është potencuar se do të ketë takime edhe me udhëheqës të lartë të Polonisë, të shteteve të tjera pjesëmarrëse në konferencë, përfaqësues të institucioneve rajonale dhe globale, civile dhe ushtarake.

Defence24 Days, është konferenca më e madhe në Evropën Qendrore dhe Lindore kushtuar çështjeve të mbrojtjes dhe sigurisë.

Kjo është ngjarja kryesore për sektorin e mbrojtjes dhe industritë që lidhen me sigurinë e qytetarëve, ndërmarrjeve dhe administratës publike.

Në faqen zyrtare të “Defence 24 Days”, është pohuar se mysafirët polakë dhe ndërkombëtarë do të fokusohen në çështjen e sigurisë evropiane nga perspektiva civile dhe ushtarake, si dhe do të diskutojnë situatën aktuale dhe të ardhshme gjeopolitike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore