Lajme

Finlanda rrit gatishmërinë për luftë përballë agresionit rus


Finlanda ka testuar me sukses aftësinë e saj për të drejtuar një ekonomi lufte dhe ka filluar të ruajë pajisje ushtarake jashtë kufijve të saj kombëtarë, pasi vendi nordik i njohur për nivelin e lartë të gatishmërisë merret me një Rusi gjithnjë e më agresive.

Gjeneral Mikko Heiskanen, zëvendës shefi i shtabit për armatimet dhe logjistikën në forcat finlandeze të mbrojtjes, ka thënë se Finlanda kohët e fundit kishte kontrolluar më shumë se 1 mijë marrëveshje që ka me kompani private për të prodhuar pajisje ose për të ofruar shërbime për kohë lufte.

“Ne duhet të përgatitemi për një krizë afatgjatë. Ne kemi aktivizuar disa prej tyre, kemi kontrolluar të gjitha marrëveshjet, kemi testuar prokurimin jo vetëm për municione, por edhe për materiale të tjera. Ne po testojmë planet dhe gatishmërinë e partnerëve tanë strategjikë”, ka thënë Heiskanen.

Finlanda, e cila ka kufirin më të gjatë me Rusinë nga çdo vend i NATO-s apo BE-së, është e njohur për fokusin e saj prej dekadash në një sulm të mundshëm nga fqinji i saj lindor, duke çuar në një nivel gatishmërie ndoshta të pakrahasueshme në botën perëndimore.

Finlanda ka luftuar shumë konflikte me Rusinë, më famëkeqja është Lufta e Dimrit e viteve 1939-1940, në të cilën vendi nordik shkaktoi qindra mijëra viktima në ushtrinë pushtuese sovjetike.

Ajo ka rezerva të konsumit prej të paktën gjashtë muajsh të karburanteve dhe drithërave kryesore, dhe strehimore të mjaftueshme ajrore për të gjithë popullsinë e saj.

Pothuajse një e treta e popullsisë së rritur janë rezervistë, duke i dhënë vendit me vetëm 5.6 milionë banorë një nga ushtritë më të mëdha në Evropë dhe sasinë e përbashkët më të madhe të artilerisë.

“Është në ADN-në tonë. Rusia e respekton fuqinë. Fuqia përbëhet nga vullneti dhe kapaciteti. Vullneti është në vend. Vullneti i njerëzve për të mbrojtur vendin është ndoshta më i larti në botë. Kapaciteti është në një nivel të besueshëm. Duhen vite për të ndërtuar këtë kapacitet. Nuk mund ta bësh për një apo dy vjet”, ka vijuar Heiskanen.

Rusia ka kaluar muajt e fundit drejt një ekonomie lufte pas pushtimit të saj në shkallë të plotë të Ukrainës dy vjet më parë, duke shpenzuar rreth 6-7 për qind të PBB-së për të prodhuar 4 milionë predha artilerie në vit, nivele shumë më të larta se ato të Finlandës apo edhe të Evropës Perëndimore.

Heiskanen ka thënë për Finlandën nuk ndodhet në një ekonomi lufte.

Sipas tij, vendi nordik është vetëm në hapin e tretë nga nëntë në shkallën e tij të përshkallëzimit dhe se megjithëse kishte rritur prodhimin e municioneve, ende nuk po punohen fabrikat 24 orë në ditë.

“Ne nuk ishim në një gjendje të keqe dhe për momentin jemi mjaft të sigurt”, ka shtuar ai.

Shteti finlandez zotëron pjesë të zinxhirit të prodhimit edhe në kompani private, në mënyrë që t’u kërkojë atyre të fillojnë prodhimin e materialeve të nevojshme për luftë.

Tashmë nisi të rrisë prodhimin për municione pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe po prodhon rreth 10 herë më shumë se predhat që bënte vetëm pesë vjet më parë, sipas Heiskanen.

Finlanda iu përgjigj sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës duke iu bashkuar NATO-s vitin e kaluar, duke i dhënë fund dekadave të mos-angazhimit ushtarak.

Pavarësisht se është një anëtare e re, Finlandës tashmë i kërkohet rregullisht këshilla nga vendet e tjera se si të përmirësohet gatishmëria e tyre, e cila në shumë raste u zvogëlua në vitet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Heiskanen ka thënë se anëtarësimi në NATO duhej të çonte në një ndryshim në mentalitetin e Finlandës.

“Ne nuk jemi më vetëm. Ne mund t’u besojmë të tjerëve”.

Finlanda, sipas tij, ka filluar të ruajë pajisje ushtarake në Norvegjinë fqinje dhe së shpejti do të fillojë në Suedi, një tjetër anëtar i ri i NATO-s, si dhe do të shikojë vendet më larg.

“Ne po planifikojmë që të ruajmë pajisje në vende të tjera. Është një çështje e sigurisë së furnizimit, duke shpërndarë stoqet. Tashmë e kemi filluar pjesërisht. Ne planifikojmë ta bëjmë atë veçanërisht me Suedinë dhe Norvegjinë, por edhe me vendet më larg. Janë pajisje dhe municione dhe ndoshta pjesë këmbimi”.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore