Shqipëria

Qendrat emigrantëve në Shqipëri: Juridiksioni është italian, por Bonellit i ndalohet hyrja në pikën e Shëngjinit


Juridiksioni në territoret e qendrave të pritjes së emigrantëve është italian – siç shkruhet qartë në protokollin e botuar në Fletoren Zyrtare nga Kryeministria shqiptare në prill.

Kjo është pohuar edhe nga inxhinierët ushtarakë italianë (dhe më pas edhe nga ambasadori italian në Tiranë).

Por stafi italian këtë mëngjes të 27 majit i ka mohuar qasjen në Portin e Shëngjinit ( ngritja e pikës hotspot) deputetit të të Gjelbërve, Angelo Bonelli, i cili synonte të kryente një vizitë inspektuese.

“Lufta” midis Bonellit dhe autoriteteve italiane – ndërkohë që shqiptarët konfirmuan juridiksionin italian – vazhdoi gjatë gjithë paradites.

Kjo në pritje të një autorizimi nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë.

Deri në drekë, me insistimin e Bonellit, në përputhje me atë që parashikonte shprehimisht protokolli, ambasadori italian, Fabrizio Bucci, kërkoi që deputeti të priste deri në mbërritjen e tij në Shëngjin për ta shoqëruar në inspektim.

Nga aq sa mund të shihej nga jashtë, hotspot-i në portin e Shëngjinit është në rrugë të mbarë, por – pohoi drejtori i portit – nuk ka vend për të fjetur.

Emigrantët do të qëndrojnë këtu vetëm për momentin e ndihmës së parë dhe identifikimit dhe më pas do të duhet të dërgohen në Gjadër ku strukturat – u konfirmua sot – nuk do të jenë gati para nëntorit.

Dhe për këtë arsye asnjë emigrant në Shqipëri gjatë gjithë verës.

Blofi është konfirmuar.

Marrëveshja

Qeveria shqiptare, të martën e 7 nëntorit, ka zbardhur Protokollin e firmosur ndërmjet qeverisë së Republikës italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Kështu bëhet me dije se marrëveshja për strehimin e emigrantëve – të kapur në det nga Italia  – në dy qendrat e ndërtuara në Shqipëri, do të zgjasë plot pesë vite.

Shpenzimet për këtë vendim politik deri më tani do të përballohen nga Italia, e cila do t’i paguajë Shqipërisë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro, brenda një 3-mujori.

Parashikohet që mbi 100 milionë euro të jenë të ngrira në një llogari bankare të nivelit të dytë si garanci.

Italia, ndërkaq merr përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare.

Neni 3 i kësaj marrëveshjeje përcakton se shteti fqinj merr në përdorim sipërfaqe të territorit shqiptar për ngritjen e strukturave pritëse të cilat parashikohen të ngrihen në Shëngjin dhe në Gjadër.

Neni 4, që është pika kryesore e këtij protokolli thekson se Italia ngre tërësisht me shpenzimet e saj, strukturat për qëndrimin e migrantëve.

Kufiri maksimal i pritjes së së të huajve do të jetë jo më shumë se 3 mijë persona të strehuar në të njëjtën kohë.

Gjithashtu Italia do të përballojë çdo shpenzim për të strehuarit, duke përfshirë kostot e kujdesit shëndetësor dhe tjetër të parashikuar që mund t’i vijë palës shqiptare.

Po ashtu, në dokumentin e firmosur përcaktohet se afati maksimal i qëndrimit të një emigranti nuk mund të jetë më i madh se koha e nevojshme për procedurat e azilit dhe mbrojtjes.

Në përfundim të procedurave, sipas nenit 9, është pala italiane që kryen me shpenzimet e saj largimin e migrantëve nga Shqipëria.

Shqipëria do shoqërojë emigrantët me policinë e saj dhe do vërë në dispozicion sipas rastit forcat e armatosura.

Marrë nga “La Repubblica”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore