Shqipëria

Miratimi i ndryshimeve statutore shkarkon Alibeajn, shpallet vakanca për kreun e Grupit Parlamentar të PD-së


Kuvendi Kombëtar i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, të shtunën e 30 prillit ka miratuar ndryshimet statutore, si dhe ka caktuar 22 majin si datën kur do të mbahen zgjedhjet për kryetarin e ri të PD-së.

Sipas kryetarit të komisionit në detyrë, Belind Këlliçi, u bë e ditur se, deri në momentin kur do të zgjidhet kryesia e PD-së, drejtimin do ta mbajë Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit.

“Mandati i Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit, përfundon në momentin që zgjidhet Kryesia e PDSH-së”, thuhej në ndryshimet statutore.

Sakaq, Këlliçi deklaroi edhe se Enkelejd Alibeaj është shkarkuar nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, duke shpallur vakancën për zgjedhjen e kryetarit të ri.

“Në mbështetje të statutit të Partisë Demokratike, për organizimin dhe funksionimin e grupit parlamentar të PD, me propozim të Rithemelimit, Kuvendi vendosi të konstatojë vakancën e kryetarit të grupit parlamentar të PD. Ngarkohet Këshilli Kombëtar për zgjedhjen”, tha Këlliçi.

Sa i përket Këshillit Kombëtar, sipas ndryshimeve statutore, do të përbëhet nga 150 anëtarë dhe kryetari i PD-së – të zgjedhur me votim të fshehtë.

Pa iu nënshtruar votimit janë anëtarë të Këshillit ish-presidentët, ish-kryeministrat, ish-kryetarët e Kuvendit dhe ish-kryetarët e PDSH-së, që janë anëtarë të PDSH-së në momentin e mbledhjes së Këshillit Kombëtar.

Ndërsa automatikisht zgjidhen kandidatë anëtarët në detyrë të kryesisë së Partisë, kryetarët e degëve të PDSH-së, deputetët dhe ministrat në detyrë, anëtarë të PDSH-së, kryetarët e Bashkive dhe kryetarët e Këshillave të Bashkive dhe të Qarkut, që i përkasin Partisë Demokratike.

Në përputhje me mundësitë e saj financiare, Partia Demokratike ndërton aparatin e saj qendror administrativ, i cili funksionon sipas një rregulloreje të brendshme.

Aparati qendror administrativ drejtohet nga Administratori i Përgjithshëm i Partisë, i cili emëron dhe shkarkon personelin e kësaj administrate. Struktura e aparatit qendror administrativ përcaktohet me vendim të Kryesisë së Partisë. Administratori i Përgjithshëm emërohet dhe shkarkohet me vendim të Kryesisë së Partisë.

Nga 1 mijë e 838 delegatë në total, në Kuvendin e kësaj dite kanë marrë pjesë 1 mijë e 425.

Këta të fundit, gjatë kësaj dite, do të zgjedhin Këshillin Kombëtar të Partisë.

Nisja e punimeve të Kuvendit Kombëtar

Fill pas mbërritjes së ish-liderit të bluve, Sali Berisha, u çelën zyrtarisht punimet për Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Berisha shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, dhe kryetari i Komisionit të Rithemelimit – i dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit – Belind Këlliçi.

Këlliçi, si kryetar në detyrë, prezantoi anëtarët e komisionit që do të ndiqnin punimet e Kuvendit.

Konkretisht komisioni përbëhet – njësoj si më 11 dhjetor – nga Albana Vokshi, Edmond Spaho, si dhe Ervin Minarolli. Po ashtu, edhe Ivi Kaso dhe Belind Këlliçi.

Ndërkohë për sekretariatin teknik janë Ledio Nuraj, Minushe Lazaj, si dhe Nadja Daullja.

Çfarë ndodhi më herët?

Përparja hyrjes në Pallatin e Kongreseve, ish-lideri i PD-së, Sali Berisha, ka falënderuar delegatët dhe mbi 40 mijë anëtarët që morën pjesë në procesin e nisur nga vetë ai.

Ish-deputeti i PD-së dhe njëri prej themeluesve të kësaj force politike, Arben Imami, deklaroi para Kuvendit Kombëtar se duhet të mos mbetemi te formulimet “të rinj” dhe “të vjetër” që të kujtojnë parullat pro komuniste.

Gjithashtu, mbajtja e këtij Kuvendi ka parë rikthimin e Jozefina Topallit, e përjashtuar gjashtë vite më parë nga kryetari asokohe Lulzim Basha.

Jozefina Topalli e nisi fjalimin e saj në podiumin e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike mes lotësh, pasi salla u ngrit në këmbë duke brohoritur për të.

“Më latë pa fjalë, ju jam shumë mirënjohëse. Herën e fundit në Kuvend kam qenë pas zgjedhjeve të vitit 2013. Ishim mësuar të ishim pjesë e një partie që fitonte zgjedhjet dhe sa herë PD-ja fitonte, ne ishim në gjendje të bënim ndryshime për mirë”, u shpreh Topalli.

Pamjet e para të siguruara nga Albanian Post dëshmuan praninë e flamurit të Shteteve të Bashkuara, krah atij të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Partisë Demokratike.

Por, ky qëndrim i organizatorëve bie ndesh me atë të qeverisë amerikane.

Edhe pse prania e SHBA-ve në Kuvend mund të shihet me ngjyrat e saj kombëtare, në kuvendim nuk marrin pjesë drejtuesit e opozitës, të cilët i njeh zyrtarisht qeveria amerikane.

Këta të fundit njohin Enkelejd Alibeajn si kryetar të mandatuar të PD-së pas dorëheqjes së Lulzim Bashës. 

Prej disa ditësh, ndërkaq, në strukturat vendore në PD-së u zhvilluan zgjedhjet për kryetarët e degëve, pavarësisht se nga një pjesë e bazës ato janë kontestuar dhe janë vënë në diskutim.

Mirëpo, në bazë ligjore, Gjykata e Tiranës i ka dhënë të drejtë Komisionit të Rithemelimit dhe Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur nga Berisha, me ndryshimet statutore që janë kryer gjatë punimeve.

Sali Berisha
Njohja e ndryshimeve statutore nga Gjykata

Me njohjen e ndryshimeve statutore të 11 dhjetorit konkretisht ra vendimi i Bashës, i cili një ditë përpara fillimit të punimeve të Legjislaturës së re – më 9 shtator 2021 – përjashtoi Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së.

Ky vendim i Bashës erdhi pas shpalljes së ish-kryeministrit dhe familjes së tij si persona non-grata nga SHBA-të.

Pikërisht ky vendim i Departamentit Amerikan të Shtetit, më 19 maj të vitit 2021, do të sillte një përçarje “të thellë” të demokratëve.

Por, si kundërpërgjigje ndaj “përjashtimit nga Basha”, Berisha nisi menjëherë një aksion, duke mbajtur një seri foltoresh për të mbledhur firmat për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.

Disa nga ndryshimet statutore të 11 dhjetorit

Në Statut parashikohej edhe një nen i veçantë për procesin e zgjedhjeve. Procesi nisi me krijimin e organeve të reja dhe iu parapri një proces anëtarësimesh të reja dhe verifikimi të anëtarësisë ekzistuese.

Po ashtu, ndryshimet në Statut përfshinin gati një parti të re, duke zhbërë strukturat drejtuese që ishin, me shkarkim të nënkryetarëve, me logo dhe vulë të re të partisë.

Organet qendrore të partisë, përveç Kuvendit Kombëtar, iu ndalua të ushtroheshin kompetencat deri më 22 mars 2022.

Po ashtu, u shpall pavlefshmëria e konstituimit të Kryesisë së PD, rrjedhimisht konsiderim nul të Kryesisë.

Një vendim tjetër ishte pavlefshmëria e vendimit të Kryesisë së partisë për mbajtjen e Kuvendit më 18 dhjetor.

Komisioni i Rithemelimit të PD-së do të ishte përgjegjës për organizimin dhe fillimin e proceseve referendare e zgjedhore në PD.

Thirrjen e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike më 22 mars 2022 – datë e cila u shty për më 30 prill.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore