Shqipëria

Policia ka realizuar 95 operacione gjatë prillit, 120 shtetas të proceduar për dhunë në familje


Policia e Shtetit, gjatë muajit prill, ka realizuar 95 operacione dhe ka vënë në pranga 661 autorë të dyshuar veprash penale.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, 11 shtetas të kërkuar ndërkombëtarisht për pjesëmarrje në organizata kriminale të trafikimit të narkotikëve, krime kundër personit dhe krime të tjera, janë arrestuar si rezultat i operacioneve të zhvilluara në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Gjithashtu, 10 shtetas të tjerë të kërkuar ndërkombëtarisht, u ekstraduan si rezultat i bashkëpunimit të Policisë së Shtetit, me partnerët e Kosovës, grekë, britanikë, italianë dhe gjermanë.

Policia ka arrestuar 60 shtetas në të gjithë vendin që ishin në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale. Në kuadër të operacioneve për rastet e armëmbajtjes pa leje janë sekuestruar 20 armë zjarri, 13 armë gjahu/sportive, 7 mina me telekomandë, 22 kapsolla detonatore, 9 kallëpe me lëndë plasëse, 8 maska dhe 25 armë të ftohta.

66 kilogramë kanabis, 5200 fara kanabisi, qindra doza kokaine dhe heroine, 180 pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, janë sekuestruar si rezultat i operacioneve të zhvilluara në fushën e narkotikëve.

Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë, në 6 raste, ka parandaluar ngjarje të mundshme kriminale dhe parandalimin e përshkallëzimeve të konflikteve për motive të dobëta.

Në fushën e krimeve ekonomike janë zhvilluar 7 operacione, si rezultat i të cilëve janë sekuestruar 1 automjet me vlerë 100 000 euro, 13 statuja dhe ikona, bizhuteri dhe mallra të kontrabanduara. Njëri prej operacioneve zbuloi në Yzberisht, një subjekt (firmë) ku falsifikoheshin dokumente. 2 makineta, 1 kompjuter dhe 25 celularë u sekuestruan nga Policia, si rezultat i kontrolleve në ambiente të ndryshme që ishin përshtatur për këtë veprimtari të paligjshme.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit, janë goditur 40 raste dhe janë sekuestruar kallëpe me lëndë plasëse dhe pajisje të ndryshme që përdoreshin për peshkimin e paligjshëm, mjete që përdoreshin për prerjen e pyjeve apo për nxjerrjen e gurëve dekorativë. Në prag të sezonit turistik, Policia ka rritur vigjilencën ndaj ndërtimeve të paligjshme që kryhen kryesisht në zonat turistike, me qëllim përfitimin.

Rritja e numrit të turistëve, i ka angazhuar shërbimet e Policisë, përveç punës për garantimin e sigurisë, edhe me gatishmërinë për t’iu dhënë ndihmë, në raste nevoje. 22 turistë që kishin mbetur në bllokuar duke eksploruar vendet turistike, në Tiranë, Shkodër dhe Lezhë, për shkak të terrenit të vështirë, mungesës së orientimit apo pamundësisë për të lëvizur, u gjetën dhe u ndihmuan nga Policia.

Në të janë gjithë vendin janë arrestuar/proceduar në gjendje të lirë, 120 shtetas, për dhunë në familje.

Policia Rrugore dhe makinat inteligjente kanë qenë prezente gjatë këtij muaji, në të gjitha akset e vendit, me qëllimet e vetme: parandalimin e aksidenteve rrugore dhe lëvizjen e lehtësuar të përdoruesve të rrugës.

Si rezultat, janë vënë në pranga 189 drejtues mjetesh, nga të cilët 128 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 61 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi. Policia ka pezulluar 285 leje drejtimi, nga të cilat 185 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 30 për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 70 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore