Lajme

Lavrov: Kosova do të anëtarësohet në Këshillin e Evropës – Perëndimi e sheh si fener të demokracisë


Sergej Lavrov

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, në një intervistë për kanalin televiziv “ATV” të dielen, akuzoi bashkësinë e organizuar perëndimore për mbështetjen e Kosovës në rrugën drejt Këshillit të Evropës, derisa shtoi se “s’ka asnjë dyshim” se Komiteti i Ministrave – organi vendimmarrës i organizatës – do të votojë në favor të vendit të vogël ballkanik “pas dy javësh”.

“Nuk ka dyshim se Komiteti i Ministrave do të marrë të njëjtin vendim sikurse Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Ata tashmë e arsyetojnë aktivitetin e tyre në bazë të faktit se në Kosovë është bërë progres në luftën kundër korrupsionit dhe krijimit të një sistemi efikas të drejtësisë. Por të gjithë e dinë se Kosova është një territor i paligjshëm”, theksoi ai.

“Por kolegët tanë perëndimorë nuk turpërohen, ata flasin për Kosovën sikur të ishte një fener i demokracisë – nuk ka pasur kurrë demokraci atje, ai është territor i krimit të organizuar, territor i spastrimit etnik të serbëve”, shtoi ndër të tjera kryediplomati rus, derisa akuzoi partnerët perëndimorë se duan ta shtyjnë Serbinë drejt shkatërrimit duke i kërkuar njohjen e Kosovës.

“E pamundur të shpjegohet sesi evropianët udhëhiqen nga kjo ide, përveç një arsyeje: serbët janë të pabindur. Serbët janë të pavarur në sjelljen e tyre, serbët nuk i binden kërkesave për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, serbët nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës, nuk duan që Kosova të jetë anëtare e organizatave ndërkombëtare”, nënvizoi ministri rus.

Kosova u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta demokratike evropiane. Megjithatë, nuk janë përfaqësuesit e popullit ata që e japin fjalën e fundit kur bëhet fjalë për pranimin e anëtarëve të rinj, por ministrat e jashtëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore