Lajme

Postimi i Zelensky-it goditje e rëndë diplomatike për Kosovën, thotë ish-ministrja e jashtme


Albin Kurti dhe Volodymyr Zelensky në Athinë

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj – Stubla, ka komentuar takimin që është mbajtur në fillim të kësaj jave në Athinë midis udhëheqësve të institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian dhe krerëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku pjesmarrës ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Si goditje të rëndë diplomatike për Kosovën, ish-kryediplomatja kosovare e cilësoi deklaratën e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky-it – i cili ishte i pranishëm në darkën jo-formale në Athinë për nder të 20 vjetorit të Samiti të Selanikut – për respektimin e Kartës së OKB-së dhe paprekshmërinë e kufijve pas takimit që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Athinë.

“Postimi i Zelensky-it – me theks në respektimin e integritetit territorial dhe kufijve ekzistues – është goditje e rëndë diplomatike – që na rikthehet tani pas një kohe të gjatë prej se Kosova e ka rrëzuar si argument për shtetet mosnjohëse me fitoren në GJND  dhe njohjen nga Izraeli”, ka shkruar ajo në platformën sociale e emëruar rishtazi si “X”.

Haradinaj – Stubla theksoi gjithashtu se dështimi flagrant i Kosovës në Athinë, sidomos pas deklaratave të Vuçiç-it i cili rikonfirmoi mosnjohjen e Kosovës nga Ukraina e Greqisë dëshmon se diplomacia kosovare pa SHBA-në është si njeriu pa oksigjen dhe se angazhimi i Kosovës në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në rrethanat aktuale mos-njohëse është kundërproduktiv dhe humbje kohe.

“Trajtimi i zbehtë diplomatik që iu bë Kosovës në Athinë, dhe nënçmimi që iu bë Shqipërisë për të njëjtën ngjarje, dëshmon që shqiptarët në rajon dhe në Evropë – do të faktorizohen e trajtohen me respekt vetëm kur janë të bashkërenduar, e asnjëherë të përçarë siç janë sot”, shtoi ajo.

Darka jo-formale në fjalë, sipas Haradinaj-Stublës, dëshmojë gjithashtu se largimi i Serbisë nga Rusia është prioritet për BE-në kur përmendet Ballkani Perëndimor dhe se për arritjen e qëllimit të saj blloku evropian nuk e ka problem fare që Serbia të keqpërdorë temën e Kosovës dhe të kërkojë nga anëtarët e forumit që të mos njihet ajo.

“Serbia pra sërish poshtëroi BE-në, duke shkelur me dy këmbë Marrëveshjen e Ohrit 2023 që u tha se u arrit me ndërmjetësimin e tyre vetëm muaj më parë, me pikë të veçantë mos-përfaqësimin dhe mos-pengimin e njëra tjetrës në arenën ndërkombëtare”.

Aleksandër Vuçiç dhe Volodymyr Zelensky

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore