Lajme

Porfirije: Duhet t’i lutemi Zotit për paqe me shqiptarët


Porfirije

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe (KOS), patriarku serb Porfirije, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, vizitoi edhe fshatin Hoçë të Madhe në komunën e Rahovecit, ku ftoi besimtarët ortodoksë të luten për paqe mes shqiptarëve dhe serbëve në prag të Krishtlindjeve Ortodokse që festohen më 7 janar.

“Paqja është një kategori shpirtërore. Ne nuk mund të kemi paqe rreth nesh nëse ka trazira brenda. Nëse ka intolerancë, urrejtje, agresion mes nesh, brenda nesh dhe me të tjerët, atëherë nuk ka paqe të brendshme, nuk ka gëzim, nuk ka qetësi”, theksoi patriarku Porfirije, raportuan mediat serbe.

Në të kaluarën, pjesëmarrja e patriarkut serb në ceremoni fetare në Kosovë është shoqëruar me fjalor të papranueshëm, duke nxitur përçarje. KOS-i është fokusuar prej kohësh në promovimin dhe zbatimin e ideologjisë nacionaliste e irredentiste të “Serbisë së Madhe” në aktivitetet publike.

Patriarku Porfirije ka ardhur disa herë në Kosovë, ndërsa herën e fundit ka hyrë në territorin e Kosovës në janar të vitit 2023, pikërisht në kohën kur tensionet midis Kosovës dhe Serisë ishin ngritur në nivele shpërthyese, posaçërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore