Lajme

Policia e Kosovës pranoi pesë qenë për njësinë “K9” nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim


Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim ka dhënë donacion pesë qenë për njësinë e veçantë të policisë “K9”.

Pranim – dorëzimi i këtij donacioni u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, sipas të cilit ky donacion “dëshmon bashkëpunimin e fuqishëm të Policisë së Kosovës me UNDP-në”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës në Facebook.

“Misioni dhe angazhimi ditor i Policisë së Kosovës është që në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët të avancojmë nivelin e sigurisë në Kosovë dhe njëkohësisht të përmirësojmë cilësinë e jetës për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Mehmeti.

Donacioni i dhuruar sot, ka për qëllim “mbështetjen e Policisë së Kosovës në ngritjen edhe më tej të produktivitetit policorë në parandalimin e kontrabandimit, zbulimit dhe konfiskimit të armëve ilegale, municionit dhe eksplozivëve”, vijon njoftimi.

Ndërsa përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko theksoi se në një “mjedis global kompleks, përplot pasiguri, institucionet e sigurisë duhet të jenë një hap përpara. Dhe kjo është ajo që po bën Policia e Kosovës”.

Po ashtu, ajo sqaroi se qentë do të trajnohen në mënyrë specifike në “nuhatjen dhe zbulimin e narkotikëve dhe eksplozivëve të ndryshëm që përndryshe do të mund të kontrabandoheshin përmes pikave të kalimit kufitar ose vijave të gjelbra të kufirit”.

Për pjesëmarrësit u bë një prezantim i shkurtër i qenve në veprim nga pjesëtarë të njësisë “K9”.

Kjo ceremoni është organizuar në ambientet e drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Kosovës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore