Lajme

“Policia e Kosovës ka një plan operativ nëse nuk arrihet marrëveshja për targat në Bruksel”


Samedin Mehmeti dhe Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla beson se më 21 prill në Bruksel do të arrihet një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e njohjes reciproke të targave, por sipas tij nëse një gjë e tillë nuk arrihet atëherë Policia e Kosovës është e përgatitur për çfarëdo situate në terren.

“Unë jam optimist se marrëveshja do të arrihet ka një qëndrim shumë konstruktiv edhe të ndërmjetësuesit, por megjithatë për çdo situatë Policia e Kosovës ka plane të saj si të veprojë, është një angazhim i të gjitha institucioneve të Kosovës që sovraniteti dhe integriteti i Kosovës të mos të vie në dyshim”, ka thënë Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Se Policia e Kosovës ka një plan operativ në raste se nuk arrihet një marrëveshje në Bruksel për targat e ka konfirmuar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

“Po, kemi plan operativ për targat edhe do të veprojmë varësisht nga situata dhe varësisht nga ajo që do të paraqitet në terren. Nëse do të ketë një marrëveshje të caktuar ne natyrisht që do ta respektojmë marrëveshjen edhe do ta zbatojmë atë, në rastin e kundërt natyrisht do të ketë përgjigje tjetër”, ka pohuar Mehmeti.

Marrëveshja e përkohshme për targat, sipas së cilës me letra ngjitëse të bardha mbulohen simbolet shtetërore të Kosovës dhe Serbisë, duhet të zëvendësohet me një marrëveshje përfundimtare deri më 21 prill.

Marrëveshja në fjalë ishte arritur me qëllim të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës, pasi Qeveria e Kosovës kishte vendosur masa reciproke ndaj Serbisë lidhur me targat dhe kjo rrjedhimisht ishte arsyeja që serbët lokalë në veri të Kosovës bllokuan për dy javë rrugët për në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore