Shqipëria

Policia blindon Vlorën pas atentatit me eksploziv, Albanian Post zbulon gjendjen e të plagosurit


Policia lokale e Vlorës e ndihmuar edhe nga FNSH-ja e Fierit kanë rrethuar qytetin bregdetar pas atentatit që ndodhi pasditen e 19 dhjetorit në lagjen “10 Korriku”.

Në të, mbeti i plagosur nga shpërthimi me eksploziv 33-vjeçari me iniciale I.S.

Ndërkaq, mësohet se janë shoqëruar gjashtë persona, të cilët po merren në pyetje.

Kurse lënda plasëse e llojit tritol që shpërtheu atje dyshohet të këtë qenë afro 400 gram.

Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin e shpërthimit të tritolit, por jo vetëm.

Eksplozivi ka shpërthyer pasi i riu parkoi makinën dhe po dilte nga garazhi. Bomba me telekomandë ishte vendosur pranë hyrjes së garazhit dhe ishte mbuluar me një karton që të mos dallohej.

Për momentin, pista e vetme në tryezën e hetuesve është e kaluara e vlonjatit jashtë vendit ku ka jetuar për disa kohë.

Deri më tani, dihet se i riu nuk ka qenë i dënuar, por ka disa precedentë të mëparshëm për shkak të përfshirjes në disa konflikte me persona të tjerë.

Dhe ky rezulton të jetë atentati i dytë që i bëhet.

Burime për Albanian Post pranë Spitalit të Traumës kanë treguar se pacienti ndodhet në gjendje shoku traumatik, me dëmtime të rënda të anësive.

Ndërkohë, ai është duke marrë ndihmën e parë.

Aktualisht, prognoza është e rezervuar. Do të ndiqet në vazhdim.

Çfarë ka ndodhur?

Ngjarja ka ndodhur pasditen e 19 dhjetorit.

Kontaktuar nga Albanian Post, autoritetet policore kanë konfirmuar se ngjarja ka ndodhur në lagjen “10 Korriku”, jashtë një pallati ku mendohet se banonte i plagosuri.

Sipas burimeve zyrtare, dyshohet se lënda e shpërthyer, në rrethana ende te paqarta, ka qenë eksploziv. Një hamendësim është ai i atentatit, të kryer ndaj personit.

Lënda shpërthyese ishte vendosur në mjetin e 33-vjeçarit, i cili raportohet se ka pasur më parë precedentë penalë. Mbi të gjitha, në vitin 2017, ai i ka shpëtuar një tjetër atentati.

Shtetasi I. S. është dërguar në spitalin e Traumës Tiranë, për të marrë shërbimin mjekësore të specializuar, pasi mori atë të parë në Spitalin e Vlorës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore