Sport

Përmbysje e ‘çmendur’ e Leverkusenit ndaj Hoffenheimit


Bayer Leverkusen ka arritur një përmbysje të “çmendur” në duelin ndaj Hoffenheim-it këtë të shtunë nga 0-1 në 2-1, me dy golat që erdhën në minutat e fundit të ndeshjes.

“BayArena” ishte dëshmitare e një prej ndeshjeve më dominuese të Leverkusen-ti gjatë epokës së Xabi Alonso-s. Pavarësisht se ishin në humbje për pjesën më të madhe të lojës “Aspirinat” treguan një domim të plotë ndaj kundërshtarit të tyre.

Leverkusen tentoi mbi 30 herë portën kundërshtare, duke gjetur kuadratin në mbi 10 raste, nga të cilat vetëm dy arritën t’i shpëtonin portierit mik, Oliver Baumann. Me këtë të fundit që ishte padyshim lojtari më i mirë në fushë.

Maximilian Beier do të surprizonte vendasit dhe tifozët në “BayArena” duke kaluar në avantazh Hoffenheim-in në minutën e 33.

Pas pësimit të golit, Leverkusen do të shtonte presionin mbi kundërshtarin, por golat do të vinin shumë vonë.

Në minutën e 88, mesfushori gjerman Robert Andrich arriti të gjente golin e barazimit. Një gol që erdhi pas minutave të tëra që “Aspirinat” kishin para portës kundërshtare.

Vetëm tre minuta më vonë do të vinte edhe goli i përmbysjes me Patrik Schick. Dhe, Leverkusen-in shmang kështu humbjen e parë sezonale në Bundesliga dhe marshon drejt titullit kampion, në pritje dhe të rezultatit të klasikes së futbollit gjerman Bayern Munich – Borussia Dortmund (ora 18:30).

Pas 27 javësh të luajtura, Leverkusen ka 73 pikë, 13 pikë më shumë se Bayern Munich-u i vendit të dytë (bavarezët kanë një ndeshje më pak, atë ndaj Dortmund-it).

Hoffenheim qëndron në vendin e nëntë me 33 pikë, tetë pikë larg Kupave të Evropës.

Paralelisht me Leverkusen – Hoffenheim u zhvilluan edhe katër takime të tjera. Borussia Monchengladbach u mund 0-3 nga Freiburg-u. Frankfurt-i barazoi pa gola me Union Berlin-in. Barazim pa gola pati dhe në sfidën mes Leipzig-ut dhe Mainz-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore