Lajme

Përjashtim nga seancat dhe komisionet, ulje të pagës për 50 për qind – miratohet Kodi i Sjelljes për deputetët


Kuvendi i Kosovës.

Komisioni për Legjislacion ka miratuar të martën Kodin e Sjelljes, i cili parasheh masa ndëshkuese për deputetët që ofendojnë, shajnë apo nxisin dhunë.

Gjobat të cilat parashihen për të shqiptuar dënimet janë përjashtim nga seanca, komisionet e po ashtu do të dënohen edhe me 50 përqind të pagesës së tyre.

Gjuha fyese në Kuvendin e Kosovës është përdorur vazhdimisht herë nga pushteti e herë nga opozita.

Në Kuvendin i Kosovës shpesh-herë deputetët kanë përdorur gjuhë fyese ndaj njëri-tjetrit, e po ashtu për gjatë kësaj kohe nuk kanë munguar edhe rastet e përplasjeve fizike mes tyre.

Më 6 prill të 2023-së, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë një debati me deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, kishte përdorur gjuhë seksiste dhe të papranueshme për Kuvendin si dhe për opinionin e gjerë.

Ishte deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila kishte pyetur Bislimin për një deklaratë të tij gjatë një interviste për Radio Televizionin Dukagjini, ku i njëjti kishte garantuar se “në atë moment kur Qeveria e Kosovës e ndryshon qëndrimin për Asociacion edhe thotë se do të krijohet Asociacion qoftë edhe me kompetenca jo-ekzekutive, Besnik Bislimi nuk është më në dialog”.

Megjithatë Bislimi përpos se kishte refuzuar të përgjigjej, kishte thënë se deputetja “ka një epsh të pakuptimtë për të marrë vëmendje publike”.

Gjuha e përdorur nga Bislimi përveç se e mbulonte mungesën e argumenteve, kishte paraqitur një pasqyrë jashtëzakonisht problematike për gratë e angazhuara politikisht.

Ndërkaq në korrik të 2023-së në Kuvendin e Kosovës, kishte pasur përplasje politike të cilat më pas ishin shndërruar në përplasje fizike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore