Lajme

Bislimi i tha deputetes së PDK-së “kurvë e vëmendjes (attention whore)” – “qeveria të distancohet”


Ilustrim: Ariana Musliu Shoshi dhe Besnik Bislimi

Për institutin, Musine Kokalari, i cili promovon vlerat sociale dhe demokratike, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë një debati me deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka përdorur gjuhë seksiste dhe të papranueshme për Kuvendin si dhe për opinionin e gjerë.

Ishte deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila pyeti Bislimin për një deklaratë të tij gjatë një interviste për Radio Televizionin Dukagjini, ku i njëjti kishte garantuar se “në atë moment kur Qeveria e Kosovës e ndryshon qëndrimin për Asociacion edhe thotë se do të krijohet Asociacion qoftë edhe me kompetenca jo-ekzekutive, Besnik Bislimi nuk është më në dialog”.

Megjithatë Bislimi përpos se kishte refuzuar të përgjigjej, kishte thënë se deputetja “ka një epsh të pakuptimtë për të marrë vëmendje publike”.

Në vlerësimin e institut gjuha e përdorur nga Bislimi përveç se e mbulon mungesën e argumenteve, ravijëzon një pasqyrë jashtëzakonisht problematike për gratë e angazhuara politikisht.

Instituti ndër të tjera ka sqaruar se fjala epsh në fjalorin e gjuhës shqipe ka konotacion ekzkluzivisht seksual.

“Bislimi duket ta ketë përdorur këtë terminologji duke e përkthyer termin ‘attention whore’ nga anglishtja. Pra ‘kurvë vëmendjeje’. Theksi këtu duhet vënë te termi kurvë. Sipas përkufizimit epshi është ‘Dëshirë e madhe për të plotësuar kënaqësitë trupore, zjarr i madh i mishit e i gjakut’. Rrjedhimisht askush nuk mund të ketë epsh për angazhim në politikë apo edhe për vëmendje, përveç për plotësimin e kënaqësive trupore seksualisht”, thuhet në shpjegimin e Institutit.

Ndërdhilja e angazhimit politik të një gruaje me fjalën epsh, sipas institutit në fjalë, është denigrim i gruas në publik dhe investon tashmë në paragjykimet tashmë ekzistuese patriarkale kulturore të shoqërisë kosovare.

“Gruaja e angazhuar publikisht shihet me dyshim. Gati se si e përdalë. Kështu po e shihka edhe Besnik Bislimi. Ta mendosh se ky është zëvendës kryeministër i Qeverisë së Republikës. Ta mendosh se kjo është e deklaruar si Qeveri progresive që vjen nga një parti deklarativisht socialdemokrate (që si për ironi sapo kanë përfunduar aktivitetet tradicionale ‘Marsi sjell pranverën GRATË BARAZINË’). Ta mendosh që Bislimi është pedagog, pra që do të duhej të shpërndajë dije tek studentët”.

Prandaj Instituti Musine Kokalari ka kërkuar nga Bislimi të tërhiqet menjëherë nga këto sulme e ofendime me baza gjinore.

“Kërkojmë nga qeveria e Kryeministri që po ashtu të tërhiqen nga kjo gjuhë seksiste. Kërkojmë nga Kryetari i Kuvendit që të jetë më i vendosur në dënimin e përdorimit të gjuhës së tillë në seancat e Kuvendit. Një prej çështjeve shqetësuese në Kosovë që po zë vend edhe në raportet ndërkombëtare për Kosovës është rritja e dhunës ndaj gruas. Edhe përdorimi i kësaj gjuhe klasifikohet si dhunë ndaj gruas. Prandaj ndaluni”, përfundon komunikata për media e lëshuar nga Institutit Musine Kokalari.

Bislimi s’i përgjigjet pyetjes se a do të jap dorëheqje pasi Kurti ka pranuar Asociacionin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore