Lajme

Perëndimi thjesht bëri sehir në Siri, nuk duhet të bëjë të njëjtën gjë edhe me Ukrainën


Ilustrim

Kriza e Sirisë vazhdon pa u vënë re.

Praktikisht ka kaluar pa u vënë re nga pjesa tjetër e botës. Megjithatë, tani, dalin disa mësime thelbësore për Perëndimin rreth Putin-it.

Krimet e luftës dhe ato ndaj njerëzimit vazhdojnë në diktaturën e sponsorizuar nga Rusia, edhe pse disa liderë të gabuar duan ta kthejnë Bashar al-Assad, arkitektin e këtyre krimeve, “në shoqërinë e pranueshme”.

Mund të jemi të sigurt se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ndryshe nga Assad-i, nuk po e mirëpret krahëhapur Putin-in.

Por, në kundërpërgjigjen ndaj emergjencës në Ukrainë, ka mësime, të cilat Perëndimi mund dhe duhet t’i mësojë nga situata në Siri.

Qëkur OKB-ja hoqi rezervat e deklaruara të armëve kimike të Sirisë në vitin 2014, Assad-i ka vazhduar t’i bombardojë spitalet, shkollat ​​dhe të djegë e shfarosë fshatrat, me një politikë çnjerëzore, të stilit mesjetar.

Ne nuk kemi parë armë kimike të përdorura që nga prilli 2019, por sot Siria është një shtet rus në të gjitha, përveç emrit, dhe Assad-i një “marionetë”, me fije të tërhequra shumë qartë nga Moska.

Idlibi, një provincë në veriperëndim të Sirisë, është i vetmi rajon ende i lirë nga tirania, por me miliona shpirtra të kequshqyer të bllokuar atje dhe Assad-i që hedh mjete ndezëse për t’i tymosur ato si të dëmshme, ai ende i ngjan ferrit në tokë.

Edhe OKB-ja i ka kthyer shpinën Idlibit, duke ndihmuar në njëfarë mënyre Assad-in dhe gruan e tij të veprojnë siç iu vjen për mbarë.

Siria tani përfaqëson një prani të madhe ruse dhe iraniane në skaj të Evropës dhe nëse edhe Ukraina bie, balanca e fuqisë do të zhvendoset shumë drejt Lindjes.

Me shumë vende evropiane të varura nga gazi rus, paqëndrueshmëria aktuale globale filloi në Damask.

Një Rusi e guximshme – e nxitur nga çmimet e larta të naftës (sot një fuçi nafte arriti vlerën e 100 dollarëve) duket shumë më e gatshme për t’u përballur me NATO-n sesa disa vite më parë, kur ushtria e saj e vjetruar nuk ishte e barabartë me tanket perëndimore.

Është e qartë kur diskutohet për Sirinë me sirianët nga Idlibi dhe zonat e kontrolluara nga regjimi, se të gjithë kanë vuajtur.

Të paktën, ata në Idlib po marrin mbështetje përmes Turqisë dhe ka disa projekte novatore që financohen nga vendet evropiane.

Shumë spitale dhe klinika në Idlib tani kanë energji diellore, pasi nuk ka karburant, ndërsa dhe rrjeti i energjisë është shkatërruar vite më parë.

Ka një makinë elektrike, e cila punon gjithashtu nga energjia diellore, që shpërndan ilaçe dhe vaksina kundër COVID-19, kur ato janë herë pas here të disponueshme – rreth Idlib.

Në një kthesë të jashtëzakonshme që do të ndodhte vetëm në luftë, disa nga këta mjekë sirianë, që kanë zhvilluar një sistem të qëndrueshëm mjekësor në rrethanat më të vështira dhe kërkuese, tani po ofrojnë ndihmë në Afganistan.

Populli sirian ka treguar elasticitet dhe inovacion të jashtëzakonshëm, edhe pse ata janë zhgënjyer vazhdimisht.

Së pari, Perëndimi nuk ndërhyri kur regjimi filloi të sulmonte popullin e tij.

Më pas, në përgjigje të përdorimit të armëve kimike, të paligjshme sipas çdo rregulli lufte, SHBA shpalli një vijë të kuqe për përdorimin e tyre – por dështoi të vepronte kur kjo vijë u kalua. Dhe së fundi, ne qëndruam pranë, ndërsa Rusia dhe Irani po kalonin rrugën e tyre nëpër Siri për të krijuar një bazë operacioni përpara në pragun tonë.

Udhëheqësit tanë do të bëjnë mirë ta kujtojnë këtë dhe të jenë të fortë dhe elastikë për të mbrojtur Ukrainën.

Nuk mund të mendoj se disa sanksione ndaj disa bankave dhe miliarderëve do të shqetësojnë Putin-in. Ai e kupton vetëm forcën dhe fuqinë – është koha për të treguar çelikun tonë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për Albanian Post. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore