Shqipëria

Një ‘flash mob PërDashni’, në zemër të Tiranës


Të hënën e 17 majit, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë në Tiranë, qytetarë dhe aktivistë nga organizata të ndryshme janë mbledhur në një “flash mob” plot ngjyra dhe dashuri.

E nismëtuar në vitin 2004, kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin kundër dhunës dhe diskriminimit të përjetuar nga njerëz me orientime të ndryshme seksuale.

Në fund të shekullit të 19-të, mjekësia dhe psikiatria në mënyrë efektive po konkurronin me fenë dhe ligjin për juridiksionin mbi seksualitetin.

Si pasojë, e folura rreth homoseksualitetit u zgjerua dhe kaloi nga sferat e mëkatit e krimit në një këndvështrim patologjik.

Data e 17 majit u zgjodh posaçërisht për të përkujtuar vendimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në 1990, për ta deklasifikuar homoseksualitetin si një çrregullim mendor.

17 maji në Shqipëri

Sipas të dhënave të bëra publike nga UNDP, në Shqipëri 25% e të rinjve shqiptarë ende nuk e pranojnë një person LGBTI. Rreth 48% e të rinjve, në anën tjetër, fatkeqësisht ende e shohin homoseksualitetin si një sëmundje.

Ambasadorja holandeze në Shqipëri, Guusje Korthals Altes, ka postuar një video në Twitter, duke ngritur flamurin shumëngjyrësh në ambientet e ambasadës. Ajo ka shkruar se Të Drejtat e Njeriut u përkasin të gjithëve, kudo – pa marrë parasysh kush jeni apo kë doni.

 

Ndërkohë, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, ka shkruar se “ngjyrat e ylberit shkëlqejnë më shumë se urrejtja. Respekti është fjala”.

“Respektimi i dallimeve tona është kush jemi dhe si lidhemi me të tjerët. Demokracitë janë ndërtuar mbi vlerësimin e diversitetit”, shkruante Soreca për 17 majin.

Duke ripostuar një foto me deklaratën e presidentit të SHBA-ve, Xhon Biden, ambasadorja Yuri Kim ka deklaruar se SHBA-të janë krenare që punojnë me qeveritë dhe shoqërinë civile, përfshirë Shqipërinë për të avancuar të drejtat e njeriut të personave LGBTI.

“Streha”, në një status në Facebook, ka shkruar se për komunitetin LGBTI, se 2020-a nuk ishte i pari vit i përballjes me një pandemi, pasi pandemia e homofobisë dhe tranfobisë na ka shoqëruar për mjaft kohë, duke prodhuar për të gjithë ne diskriminim, shtypje, përjashtim dhe sfida.

 

Sakaq, ato shkruajnë se 17 maji shënon prej vitesh “përpjekjen tonë për krijimin e një shoqërie të drejtë e gjithëpërfshirëse”.

Sot mblidhemi për të festuar dashurinë, jo vetëm në Tiranë, po në të gjithë qytetet e Shqipërisë, paçka se simbolikisht dhe në kushte pandemie. Statusi mbyllet me mbishkrimin “vaksina e kësaj pandemie është dashuria!”.

Lidhur me problematikat e komunitetit LGBTI për Albanian Post, aktivistja për të drejtat e njeriut, Xheni Karaj akuzoi politikanët shqiptarë për përvijimin e gjuhës së urrejtjes.

“Ne jemi ende shumë larg realitetit të përfshirjes së barabartë të personave LGBT në politikë”, u shpreh Karaj.

Sakaq, ajo shtoi se para se të flitet për pjesëmarrjen e komunitetit në politikë, fillimisht duhet folur për gjëra më konkrete si gjuha e urrejtjes në politikë.

Sipas saj, për sa kohë ne do të kemi ende politikanë që përdorin këtë lloj retorike jemi shumë larg. Politikanët, sipas Karajt, kanë frikë të përmendin fjalën LGBT, përveçse kur e përdorin për të denigruar politikisht njëri-tjetrin.

“Gjatë zgjedhjeve parlamentare, personat LGBT kanë qenë inekzistent për politikanët shqiptarë dhe kjo është shumë shqetësuese”, deklaroi Karaj. Sa i takon përfshirjes së komunitetit LGBT në programet politike Karaj u shpreh se kërkesave apo pyetjeve të tyre, asnjëra prej partive nuk u është përgjigjur.

“Ne kemi dërguar letra zyrtare, gjë që është bërë publike dhe në instagramin tim personal, të gjitha partive, kryesisht partive të mëdha. Asnjëra prej tyre nuk denjoi, edhe pse e drejta e informacionit është shumë e rëndësishme, pra partitë politike duhet ta respektojnë të drejtën për të dhënë informacion”, tha Karaj.

Lidhur me pyetjet, Karaj u shpreh se çështjet LGBT janë të njëjtat. Që nga Kodi i Familjes, ku Karaj thotë se për komunitetin janë ndryshime shumë të rëndësishme, të cilat do të bënin të mundur njohjen e çifteve LGBT.

Si dhe mundësisë së përfshirjes së programeve kundër bullizmit nëpër shkolla, në mënyrë që të gjithë të rinjtë LGBT të arsimohen në një ambient më të sigurtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore