Lajme

Për republikanët partia e vjetër ‘e pat’, duhet varrosur


“Partia e vjetër e pat. Duhet ta varrosim”.

Është ky lajtmotivi i fundit i disa prej senatorëve më në zë republikanë në SHBA, pas rezultateve aspak të kënaqshme që këta të fundit morën në zgjedhjet për Senatin dhe Kongresin, ku për të parin, demokratët ruajtën shumicën e për të dytin, projektohet një fitore shumë e ngushtë e “të kuqve”.

Një valë masive republikane, nuk erdhi siç ata kishin dhe siç ish-Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte premtuar.

Ndaj, mbi këtë të fundit, është derdhur edhe vreri më i madh pas zgjedhjeve.

“Duhet varrosur partia e shkuar dhe duhet të fillojmë të mendojmë për diçka të re”, shkroi në një postim në median e tij sociale Twitter, senatori republikan, Josh Hawley, pas fitores së demokratëve në shtetin e Nevadës, e cila i dha edhe shumicën në Senat.

Sipas tij, konferenca për lidershipin e partisë duhet të jetë shumë serioze dhe prej aty duhet të merren vendime të rëndësishme, për t’i dhënë republikanëve presidencën në vitin 2024.

Por, kjo, nuk mund të bëhet me Donald Trump si kandidat.

Ky i fundit, më 15 nëntor ka deklaruar se do të japë një “njoftim shumë të rëndësishëm”, nga i cili nuk është tërhequr edhe pas rezultateve zgjedhore. Shumë analistë politikë dhe njerëz pranë partisë, kanë arsye të mendojnë se ai do të shpallë zyrtarisht kandidaturën për garën e vitit 2024.

Kjo gjë gjithsesi, i ka lënë të pakënaqur shumë eksponentë të lartë republikanë.

Një prej tyre, Larry Hogan, guvernator i shtetit të Maryland, ka thënë se Trump është fajtori për rezultatet.

Këtë gjë, ai e argumenton duke shkruar se jo vetëm vala e madhe e kuqe nuk erdhi, siç ishte premtuar, por kandidatët e mbështetur më fuqishëm nga Trump, janë ata të cilët shënuan disfata të pamenduara.

Njëjtë mendon edhe senatori republikan Bill Cassidy i shtetit të Louisiana-s, i cili ka thënë për median amerikane “NBC” se “të gjithë ata, të cilët ishin në linjë perfekte me Trump, performuan tejet negativisht”.

Ndaj, partia duhet të shtrijë horizontin në drejtime të reja, duke e lënë pas të shkuarën.

Një front i mundshëm, është edhe ai i senatorit të sapo zgjedhur të Floridas, Ron DeSantis, i cili fitoi me një diferencë të madhe në zgjedhjet e fundit për senator, duke marrë 59.4% të votave.

Kështu, 44-vjeçari po kthehet në një figurë tepër popullore si në rang elektorati, ashtu edhe në rang partie.

Por, Trump këtë gjë nuk e pëlqen dhe po lufton që t’ia heqë atij mundësinë për të garuar në 2024-ën për president.

A do të mund të kthehet në “boomerang” për ish-presidentin kjo gjë?

DeSantis e ka përgjigjen: Po!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore