Sport

Pandora Papers, përfshihen edhe timonierët e Italisë në Euro 2020, Mancini dhe Vialli


Hulumtimet e gazetarëve kanë zbuluar se bizneset, të cilat kanë qenë në pronësi të trajnerit të Kombëtares së Italisë, Roberto Mancini dhe bashkëpunëtorit të tij, Gianluca Vialli, janë pjesë e “Pandora Papers”.

“Pandora Papers” u zbulua disa kohë më parë, nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues.

Ajo ka të bëjë me njerëz me pushtet ose personazhe të njohur, që lidhen me korrupsionin, evazionin fiskal, blerjen e aseteve dhe pastrimin e parave.

Pjesë e “Pandora Papers” janë rreth 35 politikanë aktivë nga mbarë bota dhe mbi 300 sipërmarrës dhe personazhe VIP.

Pjesë e emrave të përmendur nga ky hulumtim gazetaresk janë dhe ato të dyshes që drejton skuadrën e futbollit të Italisë, Mancini-Vialli.

Sipas hulumtimeve, ata kishin kompani të regjistruar në Ishujt e Virgjër Britanikë.

Roberto Mancini

Mancini ka kontrolluar “Bastian Assett Holdings” me seli në Ishujt e Virgjër Britanikë në Karaibe, që nga prilli i vitit 2008.

Në maj të atij viti, tekniku kalon në pankinën e Inter-it. Te zikaltrit përfitonte 8 milionë euro në sezon.

Në nëntorin e ardhshëm kompania e tij shpenzoi gjashtë milionë euro për blerjen e një aeroplani privat “Piaggio P180”.

Në janarin e vitit 2009, ndodhi një transferim i çuditshëm i fondeve.

“Bastian” merr një kredi prej 4.7 milionë eurosh nga “Sg Equipment Finance Schweiz”.

Kjo e fundit, një kompani e besuar dhe me qendër në Zyrih.

Zviceranët si kolateral bllokuan aksionet e kompanisë së Mancini-t dhe avionin e blerë prej saj.

Por, në nëntorin e atij viti, ai i merr përsëri nën kontroll asetet e tij. Më pas, bëhet trajner i Manchester City-t.

Në dhjetor 2009, 56-vjeçari kontaktoi me kompaninë “Fidor Spa Fiduciaria Orefici”, me qendër në Milano, për të përfituar nga ligji italian i kohës.

Ligji i nxjerrë nga Qeveria e Silvio Berlusconi-t, u lejonte italianëve, që pasuritë e grumbulluara jashtë vendit mund t’i merrnin në Itali në këmbim të një takse 5% mbi vlerën e përgjithshme.

Në vitin 2011, “Piaggio P180” ishte aseti i vetëm i kompanisë “Bastian” dhe u shit për të “likuidimin” e kompanisë, raporton gazeta e përditshme italiane “Corriere della Sera”.

Gianluca Vialli

Për sa i përket protagonistit të Kupës së Botës 1990, Vialli-t edhe ai kishte kompani në Ishujt e Virgjër Britanikë.

Zëvendëstrajneri aktual i Kombëtares së Italisë themeloi kompaninë “Crewborne Holdings Limited” në vitin 1998.

Kompania tjetër “Belvedere Investments Limited” operonte si kompani e besuar e familjes së Vialli-t. Dokumentet tregojnë se fondet e kompanive vijnë nga “pasuria personale” e ish-lojtarit.

Të ardhurat nga të drejtat e imazhit, të grumbulluara gjatë viteve 2008-2013, u transferuan drejt dy kompanive.

Në këtë periudhë “Crewborne”, merr kredi të ndryshme pa interes. Shumat vijonin nga 319 mijë euro në 2009 deri në 4.1 milionë euro në 2012.

Paratë gjithashtu shkonin edhe për të financuar biznesin e mikut të Vialli-t, Claudio Giacopazzi-t.

“Crewborne” financoi kompaninë “Fish Eagle Trading dhe Servicos”, e cila ishte e regjistruara në parajsën fiskale të Madeiras në Portugali. Kompania kishte aksioner kryesor Giacopazzi-n.

Në vitin 2017, kompania e Vialli-t “Crewborne” u likuidua. Por, para likuidimit, ajo kishte investuar te fondi “BC European Capital VIII”.

Vetë ky fond është nën menaxhimin e fondit të mirënjohur “BC Partners” në Londër.

Në janar të vitit 2021, u krijua një konsorcium që përpiqej të blinte skuadrën e Inter-it nga “Suning”.

Nisma filloi nga Vialli dhe Fausto Zanetton-i, ish-bankier i “Goldman Sachs” dhe “Morgan Stanley”.

Ata kishin themeluar “Tifosy”, kompani lider e specializuar në fushën e sportit për sa u përket çështjeve që lidhen me këshillimin dhe zgjidhjen e problematikave.

Tashmë çdo gjë është zbuluar dhe fondi “BC European Capital VIII”, që i ishte bashkuar kompanisë, është zbuluar në “Pandora Papers”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore