Lajme

Osmani: Putini po bën përpjekje përmes Serbisë të destabilizojë rajonin


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë dhënë agjencisë spanjolle të lajmeve EFE, ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin do të kërkojë të përdorë Serbinë për të destabilizuar Ballkanin dhe bashkë me të, të gjithë Evropën Perëndimore.

Madje ajo i ka krahasuar veprimet e Putinit me ato të Millosheviçit.

“Nëse ka diçka për të krahasuar në këto dy luftëra, janë veprimet e Millosheviçit me veprimet e Putinit”, thotë Osmani.

Ajo konsideron se Putini është kasapi i demokracisë, sipas saj synimi i tij është “të shkatërrojë mënyrën tonë të jetesës demokratike”.

Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës

“Pa dyshim, Putini do të përpiqet të përdorë Serbinë për të destabilizuar rajonin tonë, sepse përmes rajonit tonë ai dëshiron të arrijë Evropën”, thotë Osmani.

E para e vendit, theksoi edhe armatimin e Serbisë gjatë muajve të fundit dhe stërvitjet ushtarake.

“Ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Ballkan do të thotë ruajtja e paqes dhe stabilitetit në të gjithë kontinentin evropian”, ka thënë Osmani.

“Ne mbetemi mjaft të shqetësuar se Serbia ka rritur sasinë e armëve që po blen dhe kjo tregon synimet e saj në rajon”, ka thënë ajo, duke iu referuar mbërritjes së fundit në Beograd të një sistemi modern kundërajror kinez, mendoj se anëtarësimi në NATO është vendimtar”.

Ajo duke përmendur këto përgatitje bëri thirrje tek anëtaret e NATO-s që të e njohin Kosovën.

“Dua t’u bëj një apel katër anëtarëve të NATO-s që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë, sepse ne nuk duhet të vazhdojmë ta shohim këtë vetëm nga pikëpamja e politikës së brendshme”, ka theksuar ajo duke folur për shtetet mosnjohëse si Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania.

Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ka 40 trupa që shërbejnë si paqeruajtës në vend nën një mision të NATO-s.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para me 24 shkurti.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e po ashtu edhe Kosova, janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore