Lajme

Osmani për median malazeze: Shpresojmë se Vuçiç do të na befasojë pozitivisht


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për të përditshmen malazeze “Vijesti”, tha se çështja e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është e mbyllur ndërsa shtoi se do të avokojë që malazezët të njihen si pakicë kushtetuese.

“Konkretisht, sa i përket kufijve, për mua ajo çështje ka përfunduar në parlament para disa vitesh, kur ajo marrëveshje është ratifikuar mes Malit të Zi dhe Kosovës. Pastaj është një marrëveshje dypalëshe mes presidentëve të atëhershëm të Kosovës dhe Malit të Zi, një lloj deklarate në të cilën theksohen hapat e ardhshëm”, tha Osmani.

Osmani gjithashtu tha propozimi evropian është platformë e mirë për vazhdimin e negociatave me Serbinë dhe se tani mbetet të shihet nëse Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçic, do ta pranojë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Pra, të shohim se si do të sillet, sepse në bazë të asaj që thotë, është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë realisht në praktikë. Për më tepër, ne duhet të shohim prova konkrete nga Serbia se ata janë për paqe dhe stabilitet. Deri më tani nuk e kemi parë atë provë, le të shpresojmë se do të befasohemi pozitivisht në muajt e ardhshëm”, tha ajo.

Në këtë intervistë, shefja e shtetit kosovar, e cila po qëndron në një vizitë zyrtare në Pogoricë, ka komentuar edhe iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur” dhe arsyet pse kjo nismë do të ishte e dëmshme për Kosovën, në një kohë kur “instrumentet për ndikimin e Serbisë po rriten”.

“Nëse do të ishte një ndikim i mirë askush nuk do ta refuzonte, por ndikimi malinj i Serbisë dëshiron të përhapet në këtë zonë dhe ne nuk jemi për t’u dhënë atyre një instrument tjetër për të rritur ndikimin e tyre sepse nuk është vërtetuar se është i mirë”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po kërkojnë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duke u thirrur në Marrëveshjen e Brukselit (2013), si pajtimi i parë për funksionalizimin e një mekanizimi të tillë që bazën fillestare e ka te propozimi i presidentit Marti Ahtisaari, përmes të cilit erdhi edhe deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Në këtë kontekst, presidentja potencoi se tani çështja nuk është vetëm të thuhet se a është i pranueshëm Asociacioni apo jo, por autoritetet kosovare duhet të sigorohen që të mos i japin Serbisë një instrument të ri, përmes të cilit do të minonte pavarësinë.

“Ne nuk jemi kundër të drejtave të komunitetit serb që jeton në Kosovë, përkundrazi, duam që ata të ndihen të përfshirë dhe plotësisht të mbrojtur në bazë të standardeve më të larta ndërkombëtare, por duhet të sigurohemi që Serbia të mos ndërhyjë në pavarësinë tonë dhe mos ta përdorë këtë si një instrument për të minimizuar atë që kemi arritur deri tani”, tha ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore