Lajme

Osmani për marrëveshjet e arritura në Berlin: Kontribuojnë në forcim të bashkëpunimit rajonal


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se marrëveshjet që janë arritur në kuadër të Procesit të Berlinit do të kontribuojnë në bashkëpunimin rajonal dhe përafrimin me Bashkimin Evropian.

Këtë e ka bërë të ditur zyra e Presidencës përmes një komunikate për media.

“Presidentja Osmani ka potencuar se marrëveshjet për lëvizjen e lirë me karta identiteti për shtetasit e rajonit, njohja e diplomave universitare, dhe njohja e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve, do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe në heqjen e barrierave administrative në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke u afruar edhe më shumë vlerat dhe praktikat evropiane të bashkëpunimit”.

E para e shtetit, ka falënderuar kancelarin e Gjermanisë dhe udhëheqësit e BE-së për përkushtimin në këtë proces.

“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka falënderuar kancelarin federal të Gjermanisë, Olaf Scholz, si dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian, për përkushtimin e tyre ndaj integrimit evropian të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se Kosova do të vazhdojë të mbetet palë plotësisht e përkushtuar ndaj Procesit të Berlinit dhe bashkëpunimit rajonal në frymën e barabarësisë”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Samiti i Berlinit.

Gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar tri marrëveshje për njohjen reciproke të kartave të identitetit, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale mes tyre.

Kjo, gjatë punimeve të samitit që po mbahet në kuadër të Procesit të Berlinit këtë të enjte të 3 nëntorit në Gjermani.

Tri marrëveshjet parashikojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti të personave ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e kualifikimeve për tre profesione.

Konkretisht mjekët, dentistët dhe arkitektët.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili është dhe organizatori i takimit i ka cilësuar marrëveshjet si një pikë afrimi mes vendeve ballkanike dhe një “përfitim për qytetarët”.

Për të, Procesi i Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor do të thotë të jesh një “hap më pranë unionit”.

Scholz në fjalën e tij hapëse tha se Evropa nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor.

Samiti drejtohet nga kancelari Scholz, me pjesëmarrjen e drejtuesve të Qeverive dhe kryetarëve të shteteve nga Ballkani Perëndimor, përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse të BE-së, si dhe institucioneve financiare ndërkombëtare dhe organizatave rajonale.

Agjenda do të ketë në fokus të veçantë sigurinë energjetike dhe tranzicionin e gjelbër si dhe angazhimin e rajonit për të përshpejtuar zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Në samit gjithashtu do të trajtohet iniciativat për të rritur zhvillimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, të shpallur në kuadër të Procesit të Berlinit në nëntor 2020.

Ndërkohë disa javë më parë, u zhvillua edhe takimi i ministrave të Jashtëm në formatin e të ashtuquajturit procesi i Berlinit.

Temat ishin furnizimi me energji, siguria kibernetike dhe agjenda e përbashkët e gjelbër.

Procesi i Berlinit u nis nga Gjermania në vitin 2014 nën kancelaren e atëhershme Angela Merkel.

Ai synon të afrojë gjashtë vendet e Ballkanit dhe t’i përgatisë së bashku për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Të gjitha vendeve iu premtua kjo në vitin 2003.

Ekskluzive në Albanian Post: Rruga drejt marrëveshjes dhe nënshkrimi i dokumentit final – çdo hap në detaje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore