Lajme

Osmani pas takimit me Clinton: Kosova është e bekuar me miqtë më besnikë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ish presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar të enjten me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mikun e madh të shqiptarëve, Bill Clinton.

Osmani përmes një postimi në Twitter ka falënderuar ish-presidentin Clinton për çdo gjë që ka bërë për Kosovën dhe popullin e saj.

“Të thuash se Kosova është e bekuar me miqtë më të përkushtuar dhe besnikë, do të ishte nënvlerësim. President Bill Clinton faleminderit për çdo gjë që ke bërë për popullin tonë”, ka shkruar Osmani.

Më 23 shtator Osmani, është takuar me Kryeministrin e Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Khaled Al-Hamad Al-Sabah, nga i cili ka kërkuar mbështetjen e tij në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Po ashtu, së bashku me ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla kanë takuar edhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg, ndërsa temë diskutimi kanë pasur marrëveshjet dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Presidentja, gjatë ditës së diel ka udhëtuar zyrtarisht në SHBA e shoqëruar nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

Osmani në margjinat e sesionit të 76-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, do të ketë takime me delegacione të disa shteteve pjesëmarrëse, me presidentë, kryeministra e ministra të jashtme.

“Presidentja Osmani, po ashtu do të ketë takim edhe me mërgatën shqiptare në Amerikë, si dhe me figura politike që kanë mbështetur rrugën e Kosovës për pavarësi dhe shtetndërtim”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ish presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore