Kosova

BE-ja zor se do t’i largojë masat ndaj Kosovës pas “operacionit përshkallëzues” në veri


Ilustrim

Në fund të prillit, në takimin e fundit të Komitetit për Politikë dhe Siguri, shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) u shprehën në favor të largimit të masave negative kundër Kosovës, por operacioni policor në veriun e trazuar të territorit mund t’i çojë vendimmarrësit evropianë të përpilojnë raport kundër heqjes së masave kufizuese ndaj Kosovës.

Përkundër insistimit të qeverisë së Kosovës se ka ndërmarrë të gjithë hapat e domosdoshëm për depërshkallëzimin e situatës, përfshirë procesin e fundit zgjedhor në pjesën veriore që u bojkotua nga serbët, mbyllja e gjashtë institucioneve financiare serbe që vepronin ilegalisht në veri mund t’i detyrojë shtetet anëtare t’i mbajnë në fuqi “sanksionet” kundër vendit.

Toby Vogel, ekspert i politikës së jashtme të BE-së nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit (DPC) në Bruksel të Belgjikës, përkundër se vlerësoi që “sanksionet” janë krejtësisht të “shkëputura nga realiteti” në terren, aksionin e Policisë së Kosovës që rezultoi në mbylljen e gjashtë njësive të “Bankës Kursimore të Postës” e cilësoi “veprim të padobishëm” të autoriteteve.

“Kosova ka çdo të drejtë të kontrollojë flukset financiare në vend dhe të rregullojë punën e bankave, por duhet ta bëjë këtë në konsultim me komunitetet e interesuara dhe duke u siguruar se nuk do të humbasin qasjen në pensione, paga dhe kursime. Por, masat në këtë fazë janë krejtësisht të shkëputura nga çdo realitet në terren apo nga çdo tryezë e bisedimeve”.

BE-ja u shpreh e shqetësuar për mbylljen e zyrave financiare në katër komunat veriore, duke shtuar se aksioni i fundit policor dëshmoi ndër të tjera se autoritet kosovare zgjodhën “veprimet e njëanshme” para bashkëpunimit. Madje, blloku shprehu drojën se operacioni i fundit mund t’i “përshkallëzojë tensionet” ekzistuese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth dinarit.

“Mbyllja e këtyre zyrave pa një paralajmërim paraprak, apo pa koordinim, vetëm disa ditë pas takimit të fundit të dialogut, i cili po ashtu merrej me çështjen e këtyre objekteve të Bankës Kursimore të Postës, është një përshkallëzim dhe shkon kundër frymës së normalizimit dhe dëmton vullnetin e mirë të Kosovës në arritjen e normalizimit të raporteve”.

Zyrtarët e BE-së vazhdimisht nënvizojnë se “masat ndëshkuese” ndaj Kosovës që u implementuan në bazë të deklaratës së 27 vendeve anëtare të 3 qershorit 2023, do të tërhiqen vetëm atëherë kur ekzekutivi kosovar të bëjë hapa konkretë në drejtim të deeskalimit të situatës në veri, përfshirë hapjen e procedurave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

E për politologun kosovar, Fidan Ukaj, masat mund ta përcjellin Kosovën edhe për një kohë nën arsyetimin e rikthimit të tensioneve në këtë zonë. Për këtë arsye, shtoi ai, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në dorën e të cilit është largimi i masave ndëshkuese, mund të vendosë në mënyrë të njëanshme kundës heqjes së sanksioneve.

“Ne kemi qenë në rrugë të mirë që BE-ja t’i largojë masat pas përmbushjes së të gjitha kushteve. BE-ja tani mund të vlerësojë se nuk është përmbushur shtensionimi i situatës. Kosova, ndonëse nuk është përgjegjëse, mund të marrë një raport negativ nga Borrelli për mos largimin e sanksioneve”.

Megjithatë, largimi i masave nuk është vetëm në dorën e Borrellit, madje as të Kosovës. Vogel kujtoi se jo të gjitha vendet anëtare mendojnë njësoj kur bëhet fjalë për ndërprerjen e vargut të sanksioneve, derisa përmend faktin se kryeministri hungarez Viktor Orban refuzon të pajtohet për largimin e plotë të masave kufizuese që BE-ja i vendosi qershorin e vitit të kaluar.

“Kosova është e vetëdijshme se pavarësisht se çfarë bën apo nuk bën, masat nuk do të largohen së shpejti ngase Orbani ka të drejtën e vetos mbi largimin e tyre, dhe ngase Parisi, Berlini dhe Roma janë të fiksuar pas Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, nënvizoi ndër të tjera Vogel.

Ndryshe, aksioni në veri u ndërmor pak ditë pas dështimit të takimit të shtatë për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme sa i përket dinarit. Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi e Petar Petkoviç – u mbyllën për mbi tetë orë në një prej zyrave të BE-së në Bruksel më 15 maj për t’i vazhduar negociatat, por që – sërish – rezultuan pa marrëveshje.

E për shkak se Prishtina e Beogradi nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e fundit, terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë javët në vijim, ndërsa mbetet për t’u parë nëse lista e “skenarëve të dhunës” që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohet apo do të gjendet një zgjidhje në dialog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore