Lajme

Më shumë se gjysma e botës nuk mund të flasë lirshëm


Sipas një raporti të fundit mbi lirinë e shprehjes, gjysma e popullsisë së botës nuk mund ta flasë lirisht mendimin e vet.

Raporti ka zbuluar se numri i njerëzve që përballen me një “krizë” në lirinë e fjalës dhe informacionit është më i larti këtë shekull pas një rritjeje të mprehtë nga 34% në vitin 2022 në 53% në vitin 2023.

“Në asnjë moment në 20 vitet e fundit kaq shumë njerëzve nuk u janë mohuar përfitimet e shoqërive të hapura, si aftësia për të shprehur opinione, për të aksesuar një media të lirë apo për të marrë pjesë në zgjedhje të lira”, ka thënë drejtori ekzekutiv i grupit Neni 19 që ka kryer studimin, Quinn McKew.

Autorët e raportit ishin veçanërisht të alarmuar nga përkeqësimi në Indi gjatë 10 viteve të fundit nën sundimin e kryeministrit Narendra Modi, duke ndryshuar klasifikimin e tij nga “i kufizuar” në “krizë”.

Etiopia gjithashtu u riklasifikua në “krizë”, ndërsa tetë vende të tjera panë gjithashtu një përkeqësim të lirive vitin e kaluar, duke përfshirë Burkina Fason, Senegalin dhe Mongolinë.

“Shkeljet e lirive ndodhin çdo ditë dhe në mbarë botën, pasi liderët i degradojnë liritë tona një nga një. Shumë e bëjnë këtë përmes ndryshimeve delikate të politikave të paraqitura në emër të sigurisë publike, moralit ose sigurisë kombëtare – duke e shtrënguar rrjetën derisa të mos mbetet më vend për të marrë frymë”, ka theksuar McKew.

Raporti e konsideron një vend si në krizë kur liria e tij e shprehjes dhe e informacionit është në nivelet më të këqija, me qytetarët të paaftë për t’u shprehur lirisht ose për të shprehur kundërshtimin pa ndëshkim, dhe ku media censurohet dhe sulmohet.

Teksa grupi Neni 19 ankohej për gjendjen e lirisë së shprehjes globalisht, raporti ishte shpresëdhënës për përmirësimet në Brazil që kur Jair Bolsonaro u votua nga pushteti, duke e klasifikuar vendin tani si “të hapur” pasi më parë e kishte etiketuar atë “të kufizuar”.

Maria Trajan nga Neni 19 Brazil ka thënë se “shembulli i Brazilit na jep shpresë se ndryshimi është i mundur”.

“Por është gjithashtu një kujtesë se të drejtat dhe liritë nuk duhet të merren kurrë si të mirëqena – puna për garantimin, forcimin dhe përmirësimin e të drejtave duhet të vazhdojë gjithmonë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore