Shqipëria

Ka vonesë në kuptimin e rrezikut të rrjeteve mafioze shqiptare, thotë prokurori italian


Korrupsioni është mjeti i preferuar i organizatave mafioze.

Kështu ka deklaruar prokurori kombëtar italian Giovanni Melillo, në një intervistë për italianen “La Repubblica”, ku ka cekur edhe rrezikun që vjen nga rrjetet mafioze shqiptare.

Kjo vjen në vazhdën e takimit tre ditor me magjistratët e Amerikës latine dhe italianë. Takimi i Red de Fiscales Antidroga (RFAI), shoqata Ibero-Amerikane e prokurorëve Aiamp, planifikuar për më 22 maj bën bashkë prokurorët publikë të 22 vendeve.

Duke folur për shqiptarët, prokurori thotë se ka vonesë për të kuptuar rrezikun, dinamikën e tyre të brendshme dhe rrjetin e fuqishëm të korrupsionit që i rrethon në rajonin e Ballkanit.

“Duket sikur në lidhje me këto organizata, hetimet kanë harruar prej kohësh mësimin më të thellë të Falcone-s, mbi rëndësinë e një përpjekje të durueshme për të lidhur ngjarje në dukje të palidhura”, thekson Melillo.

Sipas këtij të fundit, gjithçka tregon se si ato organizata që kanë arritur një lidership të qëndrueshëm në tregun botëror të drogës dhe pastrimit të parave.

Ata – madje – janë “edhe në Itali, larg nga të qenit vartës ndaj mafias tradicionale”.

Në intervistë, prokurori ka ravijëzuar gjithashtu edhe shfrytëzimin e teknologjive të reja nga rrjetet mafioze duke thënë se hapësira virtuale është thelbësore për mafiozët dhe terrorizmin.

“Përdorimit të tyre i kushtohen burime të mëdha dhe struktura të tëra rrjetesh kriminale, të cilat tani zgjedhin figura në udhëheqje bazuar në aftësinë e tyre për të qeverisur teknologjitë e reja. Hetimet janë ndikuar shumë nga hendeku negativ në lidhje me burimet në dispozicion”.

Sa i takon shtetit italian, Melillo thotë se luftimi i përdorimit të teknologjisë ka një boshllëk “duke marrë parasysh prapambetjen teknologjike si të shërbimeve të policisë gjyqësore, ashtu edhe të administrimit të drejtësisë”.

“Për fat të mirë, ekzistojnë qendra ekselence të shërbimeve të specializuara të policisë kriminale. Dhe rregullat e prezantuara vitin e kaluar në lidhje me operacionet e fshehta në sistemet kompjuterike të përdorura për qëllime të terrorizmit dhe kërcënimeve të sigurisë kibernetike janë të rëndësishme”.

Duke folur për ndikimin e korrupsionit ai tha se “dhuna mund të thyejë një pengesë, por vetëm korrupsioni mund t’i shndërrojë armiqtë e mundshëm në aleatë të vlefshëm, me avantazhin e shtuar të të qenit të heshtur”.

“Këto nuk janë “krime spiunazhi” që përfshijnë praninë e mundshme të mafias në ekonomi dhe biznes, por krime që kanë qenë gjithmonë tipike të lidhura me mafien”.

Ndërsa, sa i takon financimit të terrorizmit nga trafiku i drogës, prokurori përsiat se janë lidhje të thella dhe të dukshme në një shkallë të gjerë.

“Në Afrikën Perëndimore të shënuar nga konflikte dhe puçet ushtarakë, si në Siri, ku fabrikat kimike janë bërë qendra të prodhimit të drogave sintetike, si në Amerikën Latine, ku nuk ka mungesë, përgjatë kufirit të trefishtë që ndan Brazilin, Paraguajin dhe Argjentinën, prania e organizatave si Hamasi dhe Hezbollahu, të interesuara për të shfrytëzuar trafikantët për qëllime financimi”.

Ai shton gjithashtu se kërcënimi ekziston edhe në Evropën Veriore.

“Trafiku i drogës, siç theksojnë hetuesit e prokurorisë kombëtare antimafia, po e pohon veten në një mënyrë gjithnjë e më të qëndrueshme si një kërcënim aktual edhe në Evropën Veriore, në vendet që tradicionalisht konsiderohen të imunizuara ndaj veprimeve të karteleve dhe mafias, të cilat regjistrojnë nivele të dhunës së përditshme pa precedentë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore