Kosova

Osmani kërkon mbështetje për anëtarësim në organizata ndërkombëtare nga Kuvajti


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit të saj me Kryeministrin e Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Khaled Al-Hamad Al-Sabah

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit të saj me Kryeministrin e Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Khaled Al-Hamad Al-Sabah, ka kërkuar mbështetjen e tij në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Osmani kërkoi mbështetjen e tij që ky vend të vazhdojë përkrahjen e Kosovës për forcimin e mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar si dhe të ushtrojë ndikim pozitiv në vendet e Organizatës Islamike, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë këtë”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentes.

Ndërkaq, sa i përket aktualitetit në Kosovë, Osmani ka theksuar se pala kosovare synon vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë”, ka thënë ajo.

Gjatë këtij takimi, siç thuhet në njoftim, të dy palët u pajtuan për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve diplomatike, si dhe mirëpritën idenë për hapjen e ambasadës së Kosovës në Kuvajt dhe atë të Kuvajtit në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit të saj me Kryeministrin e Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Khaled Al-Hamad Al-Sabah

Po ashtu, presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve me Kuvajtin.

“Në këtë kontekst, ajo përmend praninë e ushtarëve të FSK-së në misionin paqeruajtës në Kuvajt, të cilët ndodhen në këtë shtet në kuadër të angazhimit të përbashkët me ushtarët amerikanë nga Garda e Iowas”, vijon njoftimi.

Madje, që të dy, Osmani dhe Al-Hamad Al-Sabah, u pajtuan për ta finalizuar nënshkrimin e disa marrëveshjeve, përfshirë edhe atë mbi “Statusin e Anëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë Stacionit të tyre të përkohshëm në Shtetin e Kuvajtit”.

Ndërkaq, kryeministri i Kuvajtit “e ka përgëzuar Kosovën për arritjet dhe ka shfaqur gatishmëri për bashkëpunim të mëtejmë mes dy vendeve, si dhe realizimin e projekteve të rëndësishme, të  cilat do t’i shërbenin popullit të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore