Shqipëria

Votimi me aplikacion – i munduri dhe i duhuri për diasporën shqiptare – sipas Celibashit


Është një pyetje që vijon të rëndojë mbi politikën shqiptare dhe mbi Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve: Si dhe kur do të mundësohet vota e diasporës në Shqipëri, për t’i dhënë të gjithëve mundësinë e barabartë të shprehin vullnetin e tyre politik, pavarësisht vendndodhjes.

Topin, ai ia ka kaluar politikës tërësisht, për shkak të kuadrit ligjor që duhet plotësuar. Megjithatë, Komisioneri Ilirjan Celibashi, mendon se metodologjia më e mirë është e gatshme për t’u vënë në zbatim dhe ka të bëjë me një aplikacion, i cili transmeton votën.

Koha është kyçe dhe lidhet me mbylljen e këtij sesioni parlamentar, pra korrikut.

Kjo është çështja kryesore dhe fillestare për të vënë më tej planin në zbatim.

Nëse kuadri kalon (edhe pse gjasat janë të vogla duke parë mungesën totale të vullnetit politik nga palët për dialog deri tani), Celibashi thotë se një aplikacion i posaçëm me regjistrim për votuesit nga jashtë, është një zgjidhje më e mirë edhe për nga kostot.

Ato fillimisht do të uleshin, duke menduar se nuk ka nevojë për të shpenzuar mbi tarifa postare, apo letra.

Por nuk është gjithsesi ky shqetësimi kryesor. Lidhet më tej me aspektin e sigurisë.

Sipas Celibashit, përmes aplikacionit të posaçëm, qytetarët shqiptarë jashtë vendit mund të kyçen në llogarinë e tyre dhe ta realizojnë aty zgjedhjen. Kjo do të mundësonte edhe një proces shumë më të sigurt kriptimi të votës dhe shmangies të çdo lloj manipulimi të mundshëm.

Përmes kësaj metodologjie – e cila sa lë të kuptohet Komisioneri, është gati për përdorim – nuk mund të ketë gabime dhe as manipulime të mundshme, duke e vënë theksin edhe te fakti se sistemi është i testuar dhe efikas në 100% të tijin.

Por, sërish, pyetja e vërtetë mbetet te vullneti politik dhe jo tek ai teknik, të cilin Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka reflektuar se e ka kaluar me sukses në etapa të ndryshme, fillimisht me verifikimin elektronik të votuesve, më tej me votimin dhe numërimin e pjesshëm elektronik dhe zgjerimin në disa zona zgjedhore të këtij të fundit.

Problem mbetet edhe perceptimi real i palëve për këtë temë. Fjala bie, në një tryezë dialogu mes të majtëve e të djathtëve, të parët, përmes përfaqësuesit të tyre, Damian Gjiknurit, e kanë kopsitur variantin e preferuar: është ai i votimit me postë.

Gjiknuri: I qëndrojmë variantit të votimit me postë për Diasporën

Ky sipas Gjiknurit është varianti më i mundshëm potencial, klasik dhe një sistem, i cili përmes regjistrimit, krijon transparencë, me bazë gjendjen civile.

Sa për aplikacione, apo kushte të tjera avangarde, jo të majtët, por as të djathtët nuk flasin.

Fakti gjithsesi mbetet se deri tani, apeli i Celibashit për veprim, me dalje të panumërta publike, ka rënë në vesh të shurdhët.

Apeli i ‘shurdhët’ i Celibashit për mundësimin e votës së diasporës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore