Lajme

Osmani dhe Gërvalla takojnë sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg flasin për ecurinë e dialogut


Takim i Presidentes Vjosa Osmani dhe ministres së Punëve të Jashtme Donika Gërvalla me sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla të mërkurën kanë takuar sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg, ndërsa temë diskutimi kanë pasur marrëveshjet dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Presidentja e informoi sekretarin Stoltenberg edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë.

Ajo theksoj se Republika e Kosovës i ka zbatuar marrëveshjet e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe i dënoi kërcënimet dhe veprimet e Serbisë dhe të strukturave ilegale të saj në Kosovë.

Ndërsa, gjatë këtij takimi theksoi se synimi themelor i Kosovës mbetet anëtarësimi sa më i shpejtë në NATO.

“Anëtarësimi është i rëndësishëm për ta siguruar paqen në rajon, por edhe për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta”.

Ajo u shpreh se përkushtimi i Kosovës është për të hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit me NATO-n, i cili nënkupton përfshirjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe.

“Qëllimi ynë është të bëhemi pjesë e infrastrukturës globale të sigurisë, duke kontribuar për paqen”, deklaroi Osmani.

Ndërkaq shtoi se Forca e Sigurisë e Kosovës, është forcë profesionale, e cila do t’i mundësojë Kosovës të bëhet forcë aktive në kuadrin e sigurisë rajonale dhe globale.

“Ne jemi krenarë që ushtarët tanë po marrin pjesë së bashku me ushtarët e Forcave të Armatosura të SHBA-së në një mision të përbashkët ushtarak në Kuvajt. Ky mision, i pari i këtij lloji për Kosovën, është dëshmi e gatishmërisë sonë për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale”.

Në njoftim të Presidencës thuhet se sekretari i NATO–s, Jens Stoltenberg, e falënderoi Kosovën për strehimin e përkohshëm të refugjatëve afganë bashkëpunëtorë të NATO-s dhe e vlerësoi veprimin e saj si shembull të bashkëpunimit dhe të koordinimit me aleatët.

Presidentja Osmani theksoi se vendimi i Kosovës ishte në përputhje me orientimin gjeostrategjik dhe reflektim i vlerave të përbashkëta të të drejtave të njeriut.

“Kosova, vazhdoi ajo, është e gatshme që edhe në të ardhmen të kontribuojë në misione të ngjashme humanitare, por edhe në ato të sigurisë”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit me presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto, të martën.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së diel ka udhëtuar zyrtarisht në SHBA e shoqëruar nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

Osmani në margjinat e sesionit të 76-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, do të ketë takime me delegacione të disa shteteve pjesëmarrëse, me presidentë, kryeministra e ministra të jashtme.

“Presidentja Osmani, po ashtu do të ketë takim edhe me mërgatën shqiptare në Amerikë, si dhe me figura politike që kanë mbështetur rrugën e Kosovës për pavarësi dhe shtetndërtim”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore