Kosova

O’Brien, Escobar e Lajçak “diskutim të rëndësishëm” mbi strategjinë për të çuar përpara Kosovën e Serbinë në dialog


James O’Brien, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak

Ndihmës-sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, të mërkurën, ka njoftuar se ka takuar të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

O’Brien i shoqëruar me emisarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, ka potencuar se me diplomatin sllovak ka pasur një bisedë të rëndësishme mbi strategjinë për të çuar përpara Kosovën dhe Serbinë në procesin e dialogut.

“SHBA-ja mbështet fuqishëm dialogun si rrugë drejt marrëdhënieve paqësore dhe produktive”, ka shkruar O’Brien.

Për takimin në fjalë është deklaruar edhe vetë Lajçak, i cili ka potencuar se në takim është rikonfirmuar bashkëpunimi i shkëlqyer në mes të BE-së dhe SHBA-ve.

“Kënaqësi ta takoj O’Brien e Escobar në Uashington për të diskutuar rrugën përpara në dialog dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Ndryshe Escobar në konferencën e tij të fundit për media si emisar amerikan për Ballkanin Perëndimor potencoi se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe Këshilli i Evropës janë dy procese të lidhura me njëra tjetrën.

Escobar ndër të tjera potencoi se është vështirë të kuptohet pse Kosova nuk i përmbush obligimet e saj ligjore.

Escobar: Asociacioni dhe Këshilli i Evropës janë të ndërlidhura, s’e kuptojmë pse Kosova s’e përmbush obligimin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore