Lajme

Presidentja Osmani udhëton drejt SHBA-së


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar zyrtarisht në SHBA e shoqëruar nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

Osmani në margjinat e sesionit të 76-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, do të ketë takime me delegacione të disa shteteve pjesëmarrëse, me presidentë, kryeministra e ministra të jashtme.

“Presidentja Osmani, po ashtu do të ketë takim edhe me mërgatën shqiptare në Amerikë, si dhe me figura politike që kanë mbështetur rrugën e Kosovës për pavarësi dhe shtetndërtim”, thuhet nga Presidenca

“Ndërkaq në Universitetin Columbia, Presidentja do ta ketë një ligjëratë dhe diskutim. Takimet do të jenë në funksion të përpjekjes për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”.

Gjatë këtij muaji Osmani ishte për vizitë në Gjermani, ku ka kërkuar nga homologu i saj gjerman Frank Walter Steinmeier, ta ndihmojë Kosovën për të marrë njohje të reja dhe po ashtu për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

“Gjermania ka mbështetur Kosovën në të gjitha aspiratat e saj integruese ndërkombëtare dhe evropiane: procesin e integrimit në BE, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe veçanërisht lobimin dhe mbështetjen për liberalizimin e vizave. Ne kemi nevojë për një zë të fortë mbi kërkesën tonë për liberalizimin e vizave, dhe nuk ka asnjë zë më të mirë se Gjermania”, pati deklaruar Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier

Ndërsa, ka theksuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim.

“Ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Presim mbështetjen e Gjermanisë në këtë proces”.

Gjatë vizitës në Gjermani, Presidentja Osmani, përveç takimit me homologun Steinmeier, është takuar edhe me ministrin e jashtëm Heiko Maas dhe përfaqësues të Odës së bizneseve gjermane, Rrjetin për Politikë të Jashtme (DGAP) dhe përfaqësues të mërgatës.

Ndërkaq në Universitetin Humboldt, ajo ka mbajtur një ligjërate me temën “Shtetndërtimi dhe procesi i transformimit, prioritetet dhe sfidat”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore