Kosova

Haradinaj: Shpresoj se PDK-ja s’do të bije në puthjen vdekjeprurëse të Kurtit


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se shpreson që Partia Demokratike e Kosovës të mos bie në “puthjen e vdekjes” së kryeministrit Albin Kurti, pasi që ka konsideruar se i njëjti ka qëllim “djallëzor” në raport me opozitën.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë në një intervistë për “RTVDukagjini”, pasi që ka komentuar takimin që kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pati me kryeministrin Kurti, i cili u refuzua nga Haradinaj dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

“Kurti e ka një zor që po do ta keqpërdor opozitën, shpresoj shumë që PDK-ja do të dinë mos të bie në puthjen vdekjeprurëse të Kurtit, poër shkak se Kurti e ka strategji diallzore kundër opozitës”, tha Haradinaj.

Kurti, sipas Haradinajt, “nuk ka hallin vetëm me shkatërru PDK-në, por e ka hallin me e dobësu – sepse nëse njëri nga ne dobësohet, atëherë do të dobësohet mundësia pas zgjedhjeve me kriju ne institucione”.

Pra, në prizmin e ish-kryeministrit, Kurti “i arrin disa qëllime duke i dhënë puthjen e vdekjes PDK-së”.

Sa i përket refuzimit të tij për takim me Kurtin, Haradinaj potencoi se ka kohë që nuk do që të ketë kurrfarë raporte me kryeministrin.

“Ka një kohë që e evitoi edhe përshëndetjen me Kurtin, edhe dorën me ia dhënë. Për shkak se mendoj se e ka mbush kupën me dëmet që ia ka bërë vendit”, tha Haradinaj.

Në vlerësimin e ish-kryeministrit, Kurti “është një mashtrues ordiner”.

“Kam kode të mirësjelljes, kam etikë, respektoj shumë kode, por vjen një moment kur duhesh të ndahesh prej të keqes, kushdo që e bënë, qoftë familja jote… qoftë edhe kryeministri”, shtoi.

Kryeministri i Kosovës, sipas kreut të AAK-së, “të këqijat që ia ka bërë Kosovës në gjashtë muajt e fundit janë shumë të mëdha, janë shumë të rrezikshme”.

Ndryshe, ditëve të fundit, kryeministri Kurti është duke u takuar me përfaqësues të partive politike në vend, për të diskutuar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Të martën ai është takuar me përfaqësuesit e partive të komuniteteve jo shumicë në vend.

Ndërsa, më 13 maj ishte takuar me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, me të cilin po ashtu ka diskutuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e patën refuzuar ftesën e Kurtit. LDK-ja nëpërmjet një komunikate për media kishte thënë se dorëheqja e Kurtit duhet t’i paraprijë shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që t’u hapet rruga zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.

Të njëjtin pozicion e kishte elaboruar edhe AAK-ja. Sipas saj, vetëm me dorëheqjen e kryeministrit Kurti mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore