Lajme

Osmani në 2015: Nëse nuk e themelojmë ne Specialen, do ta themelojë Rusia dhe do akuzohemi për gjenocid


Vjosa Osmani ne dy kohe

Kur në vitin 2015 po flitej për amandamentimin e Kushtetues së Kosovës dhe themelimin e Gjykatës Speciale për të gjykuar krimet e pretenduara gjatë dhe pasluftës në Kosovë, Vjosa Osmani, si deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës kishte marrë fjalën në Kuvend për t’iu treguar të gjithëve se për çfarë në fakt po bëhet fjalë.

Si një profesore e drejtësisë, njohës e rendeve juridike e kushtetuese dhe organizatave ndërkombëtare dhe një studiuese e ardhur nga universitetet amerikane, ku kishte kryer shkollimin, ajo tregonte me kompetencë se sa e rëndësishme është të themelohet Gjykata Speciale nga Kuvendi i Kosovës.

Po të mos e bëjmë ne, u thoshte Osmani deputetëve, do ta bëjë Rusia përmes Këshillit të Sigurimit dhe po ta bëjë Rusia, do të akuzohemi edhe për gjenocid, deklaronte konfidente ajo.

“Skenari i vetëm i mbetur do të ishte miratimi i një rezolute që themelon Gjykatë Speciale, por jo në marrëveshje me Republikën e Kosovës si shtet, por me UNMIK-un. Pra rikthim i të gjitha autoriteteve në fushën e politikës së jashtme dhe të drejtësisë që i ka pasur UNMIK-u para pavarësisë. Duke ia rikthyer, siç po flitet edhe kompetencat të cilat nuk i ka pasur më herët”, deklaronte Osmani.

“Kjo rezolutë, që sipas të gjitha gjasave do sponzorizohej nga Rusia, për dallim prej ambandamentit që e kemi sot para nesh, nuk do të parashihte që ligjet e aplikueshme janë ato të Kosovës dhe Kushtetuta e Kosovës. Nuk do të parashihet afat kohor për funksionimin e vet derisa do të shfuqizohej rezoluta nga po të njëjtit anëtarë permanent të Këshillit të Sigurimit, dhe po ashtu do të përfshinte gjenocidin si vepër për të cilin do të akuzoheshin të gjykuarit potencialëpara kësaj gjykate”.

Për ata që mendonin se Rusinë nuk e lë SHBA-ja, apo ndonjë vend tjetër mik i Kosovës që të realizojë këtë plan, Osmani kishte lajme edhe për ta.

Si e informuar nga amerikanët, pretendonte ajo, i ftonte deputetët e tjerë që të flasin me miqtë ndërkombëtarë e ta shohin sa gabim janë nëse po mendojnë ashtu.

“Kushdo që beson se Rusia nuk do ta bën këtë, apo mendon se ndonjëri nga shtetet që janë po ashtu anëtarë permanentë të Këshillit të Sigurimit do ta ndalë është mirë të takojë dhe të bisedojë me misionet e përhershme të këtyre shteteve në Kombet e Bashkuara”.

Për këto arsye e shumë të tjera, Osmani deputete u fliste qytetarëve se “njësojë si çdo vendim tjetër që e kam marrë gjatë tërë mandatit si përfaqësuese e tyre, se ky vendim i imi sot nuk është bërë dhe kurrë nuk do të ndodhë të bëhet nnë presioni e as nën orientimin e askujt, por me bindje të plotë se nëpërmjet këtij veprimi, marrim përgjegjësi shtetërore dhe parandalojmë një të keqe shumë më të madhe që po i kanoset Kosovë”.

Rikthimi i këtij qëndrimi të presidentes Osmani bëhet pas deklarimit të fundit të saj, në konferencë të përbashkët për media me tashmë ish-presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, sa ishte në vizitë zyrtare në Kosovë.

Presidentja Osmani u kërkojë qytetarëve që t’i thërrasin mendjes e të kujtojnë se kush e donte këtë gjykatë, me pretendimet se ishin vetë ata që tani po akuzohen.

Por, siç shihet edhe nga videoja e 2015-së ishte Osmani që argumentonte se sa vendim i drejtë është themelimi i Speciales në Kuvend, me qëllimin që të mos e themelojë atë KS i OKB-së përmes Rusisë.

“Ne nuk harrojmë sa do që dikush edhe mund ta ketë një dëshirë të tillë se kush insistonte më së shumti dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohej gjykata speciale para disa vitesh. Nuk e harrojmë”, pohoi Osmani.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore