Lajme

Osmani e Gërvalla në Forumin Diplomatik të Antalisë


Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla do të marrin pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë në Turqi.

Në kuadër të këtij Forumi, Presidentja Osmani dhe ministrja Gërvalla- Schwarz do të takohen me homologë nga disa vende të botës, pjesëmarrëse në këtë Forum, njofton zyra për media e Presidencës.

Ato do të marrin pjesë në disa panele të këtij Forumi.

Forumi Diplomatik i Antalisë është takim i nivelit të lartë, në të cilin adresohen sfidat ndërkombëtare dhe në të cilin marrin pjesë liderë shtetesh, diplomatë, opinionbërës dhe akademikë. Tema e këtij viti e Forumit të Diplomacisë së Antalisë është “Rikodimi i diplomacisë”.

Ky Forum do t`i zhvillojë punimet prej 11 deri më 13 mars dhe do të marrin pjesë përfaqësues nga rreth 70 shtete.

 

Me ftesë të Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, Osmani nizi një vizitë zyrtare në Turqi më 26 shkurt.

Gjatë qëndrimit në këtë shtet, Osmani u takua me odat ekonomike, prodhues industrial, përfaqësues biznesesh si dhe me komunitetin shqiptar të Turqisë.

Ndërkaq në vazhdimin e vizitës, në Ankara, Presidentja Osmani u takua me homologun e saj, presidentin Erdoğan, në të cilin përveç diskutimit për marrëdhëniet aktuale, diskutuan edhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit.

Në vizitën e saj 5 ditore në Turqi, deri më 3 mars, Presidentja Osmani u takua edhe me kryetarin e parlamentit turk, Mustafa Şentop si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit turk.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore