Lajme

Osmani kërkon përkrahjen e Turqisë për anëtarësim në NATO


Vjosa Osmani dhe Mustafa Sentop

“Përshpejtimi i anëtarësimit në NATO është i nevojshëm për të garantuar paqen dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë, por në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor’’.

Kështu është shprehur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takim me Kryetarin e Parlamentit të Turiqsë, Mustafa Sentop, duke kërkuar që në kuadër të diplomacisë parlamentare, Turqi të jetë zë i Kosovës në organizatat ndërkombëtare në atë mënyrë që ta shtyjë përpara procesin e anëtarësimit të Kosovës në Aleancën-Veriatlantike.

Gjatë takimit marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë u vlerësuan si të mira dhe me avancim të vazhdueshëm.

“Marrëdhëniet tona janë shumëdimensionale dhe forcohen nga bashkëpunimi me Turqinë në shumë sfera, duke e llogaritur këtë vend si një partner në shumë procese”, ka thënë Osmani.

Osmani në takim me Sentop ka diskutuar edhe për çështje e dialogut me Serbinë, ku ka theksuar se dialogu duhet të përqendrohet në njohjen reciproke dhe se Serbia deri tani ka dëshmuar është bllokuese në këtë process, duke mos implementuar një sërë marrëveshjesh të nënshkruara.

Në anën tjetër Kryekuvendari turk, ka thënë se propseriteti dhe mirëqenia e Kosovës, me të cilën Turqi ka marrëdhënie strategjie dhe kulturore si dhe miqësi vëllazërore është e rëndësishme për paqen në rajon.

Pjesë e delegacionit të Presidentes Osmani në takim me kryetarin Sentop ishte edhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari dhe kryetari i grupit të Miqësisë të Kuvendit të Kosovës për Kosovë-Turqi, Enis Kervan.

Në Kosovë ka ditë që ka nisur një fushatë për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Madje Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e ka ripërsëritur kërkesën e tij që Kosova të anëtarësohet në NATO dhe në Bashkimin Evropian, por kësaj radhe duke ftuar mërgatën kosovare që të bashkëngjitet nismës për të promovuar vlerat demokratike të vendit.

“Ju bëjë thirrje si bashkëqytetar, bashkëkombës dhe mik i juaj, të ftoni, kudo që jeni dhe nga cilado pozitë që keni, miqtë tuaj spanjoll, grek, rumun, sllovak dhe qipriot, ta dëgjojnë të vërtetën e Kosovës dhe popullit tonë”, ka shkruar Mehaj në rrjetin e tij social në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore