Lajme

Një sirenë dhe gjashtë zmadhues të zërit u konfiskuan në Veri – ishin fshehur në maje të një ndërtese


Foto: Albanian Post

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, në një prononcim për Albanian Post, ka thënë se një sirenë e alarmit dhe gjashtë zmadhues të zërit i ka konfiskuar Policia e Kosovës në një ndërtesë në Mitrovicë të Veriut gjatë një aksioni në maje të një ndërtese në këtë qytet të mërkurën.

“Ne të mërkurën e kemi gjet këtë sirenë dhe gjashtë zmadhues të zërit. I kemi konfiskuar në majë të një ndërtese. Këto kanë qenë pajisje të cilat janë përdorur për prishje të rendit dhe qetësisë”, tha Elshani.

Ndryshe, sa herë që bien sirenat në Veri, e që ka ndodhur në disa raste vitet e kaluara, grupe njerëzish të organizuar dalin në rrugë, mbyllin dyqanet, barnatoret, lokalet afariste e të tjera dhe organizojnë barrikada për t’i kundërshtuar intervenimet e Njësisë Speciale të Policisë.

Ndërkaq ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se gjatë vitit 2023, sfida më e madhe ka qenë ruajtja e integritetit territorial dhe e sigurisë publike.

Ai gjatë fjalimit të tij në Këshillin për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut ka deklaruar se Policia e Kosovës në pjesën veriore është sulmuar rreth 100 herë nga grupe ekstremiste.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore