Lajme

Një muaj paraburgim për Kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin


Nagip Krasniqi.

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i arrestuar nën dyshimin për korrupsion.

Lajmin e ka bërë të ditur Gjykata Themelore e Prishtinës përmes një komunikate dërguar mediave.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale për të pandehurin N.K për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2”.

“Lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, Ushtrimi i ndikimit nga neni 424 paragrafi 1 i KPRK-së, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe Konflikti i interesit nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ish-drejtuesi i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, Nagip Krasniqi i cili udhëhoqi pozitën e Kryeshefit në Korporatën Energjetike të Kosovës, u arrestua një ditë më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, nën dyshimin se keqpërdori në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litëin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për tenderin rreth kryerjeve të punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

Emri i Krasniqit u përmend edhe në rastin e skandalit financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ky i fundit u raportua se ishte takuar në Kroaci me Krasniqin gjatë muajit mars të vitit të kaluar.

Nagip Krasniqi.

Megjithatë, këtë e kishte mohuar Berishaj gjatë raportimit të tij në Komisionin Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës më 17 nëntor të vitit të kaluar.

“Nuk kam pasur takim me kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës. Unë gjitha takimet fillimisht i bëjë në ambasadë. Jam shumë i gëzuar që kam pas mundësin ta shpjegoj një shpifje të madhe që është bërë”, pati thënë Berishaj.

Krasniqi po ashtu ishte akuzuar nga kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, se rënia e Bllokut A3 dhe A5 është bërë qëllimshëm, por ky i pari e kishte mohuar një gjë të tillë.

Më 2 dhjetor të vitit të kaluar, Krasniqi ishte ftuar për të raportuar para Komisionit Hetimor Parlamentar i Kosovës në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.

Por, e kishte lëshuar mbledhjen pas pyetjes së kryetarit të këtij komisioni, Hajdar Beqa, i cili kishte kërkuar informacione nga Krasniqi për mos fillimin e remontit të bllokut A5 në Termocentralin “Kosova A”.

Ndërsa këtë të mërkure kur u prangos, Krasniqi gjatë arrestimit i ka kërkuar Policisë së Kosovës që të dërgohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, sepse nuk po ndjehej mirë.

Por, në momentin që u dërgua, ai refuzoi të kontrollohej.

Siç i ka treguar Albanain Post-it, Naser Syla, ai erdhi nën shoqërimin e policisë në QKUK, por më pas nuk donte që të kontrollohej nga mjekët

Ndryshe, emri i Nagip Krasniqit është përmendur në media edhe më parë në hetimet nga Njësia për Krime Ekonomike që janë zhvilluar disa vite më parë në KEK.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore