Lajme

Një muaj paraburgim burrit që grushtoi një grua në market


Gjykata Themelore në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm Penal, i ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj të akuzuarit F.B., i cili të dielën e 24 tetorit, kishte sulmuar fizikisht një grua në market në Prishtinë.

Gjykata ka aprovuar propozimin e prokurorit të shtetit për ekzaminim psikiatrik.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 24.10.2021, brenda Qendrës Tregtare ‘Interex’, në Prishtinë i pandehuri F.B. pas një mosmarrëveshje të atë çastshme verbale me të dëmtuarën S.B.H, në lidhje me shportat për furnizimin me ushqim ku gjatë blerjes së gjërave ushqimore të njëjtit nuk kishin pasur hapësirë të mjaftueshme për kalim”

“Ashtu që si pasoj e kësaj i pandehuri e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarën, duke e goditur me grushte në kokë me ç’rast e dëmtuara ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK”, thuhet në njoftim e Gjykatës.

Ndërsa, kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Ndërkaq, të hënën në mbrëmje, në media ka qarkulluar një video në të cilën shihet sesi një burrë sulmon fizikisht një grua. Ai shihet në një market, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore