Kosovë: Prokuroria kërkon paraburgim për personin që sulmoi fizikisht një grua

SHFLETO

Prokuroria Themelore në Prishtinë

Qëndresa Sokoli
26.10.2021 11:59
Loading Icons...

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për personin F.B, që është dërguar në mbajtje, të dielën e 24 tetorit, pasi ka sulmuar fizikisht një grua në një market në Prishtinë .

Përmes një njoftimi, Prokuroria ka treguar se i akuzuari, më 24 tetor, ka kryer veprën penale “sulm”.

Gjithashtu është bërë e ditur se viktima ka pranuar trajtim mjekësor, teksa njofton se i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.

“Rasti ka ndodhur më 24.10.2021, në njërin market në Prishtinë, ku personi i lartcekur dyshohet se me grushte ka sulmuar një grua dhe të njëjtës i ka shkaktuar lëndime trupore, me ç‘ rast e dëmtuara ka pranuar trajtim mjekësor, andaj prokurori i shtetit, më 25.10.2021, ndaj të dyshuarit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Të hënën në mbrëmje, në media ka qarkulluar një video në të cilën shihet sesi një burrë sulmon fizikisht një grua. Ai shihet në një market, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët.

Kurse gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka njoftuar se janë raportuar pesë raste të dhunës në familje në katër qytetet të Kosovës.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, një person është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht bashkëshorten pas një mosmarrëveshje.

“Nuk raportohet për të lënduar ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Një rast tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në qytetin e Podujevës, ku një person është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Viktima si pasojë e dhunës dhe frikës së bashku me dy fëmijët e saj, ishte larguar nga shtëpia pasi ishte ndier e rrezikuar.

“I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Edhe në Graqanicë një person është arrestuar, pasi i njëjti nën ndikimin alkoolit ka kanosur nënën e tij.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

Po ashtu rast të dhunës në familje ka pasur edhe në qytetin e Mitrovicës së Veriut, një person është arrestuar pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij.

“Nuk raportohet për të lënduar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet tutje në raportin e Policisë së Kosovës.