Lajme

Nga 20 në 15 vjet burgim – Supremja ia ulë dënimin Goran Stanishiç-it, mori pjesë në masakrën e Sllovisë


Gjykata Supreme e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës së Apelit të nxjerrë vitin e kaluar për të ia ulur dënimin Goran Stanishiç-in, nga 20 në 15 vjet burgim për pjesëmarrjen në masakrën e fshatit Sllovi të Lipjanit më prill 1999.

Gjykata Supreme e Kosovës, ka konstatuar se Gjykata e Apelit ka vepruar drejt, kur ka vendosur si në aktgjykim të saj, siç thuhet, duke u nisur nga fakti se në kohën kur është kryer vepra penale, ka qenë fuqi Ligji Penal i Jugosllavisë (LPJ) dhe me nenin 38 par. 1 të këtij ligji ka qenë e parashikuar që “Dënimi me burg nuk mund të jetë më i shkurtër se pesëmbëdhjetë ditë e as mi gjatë se pesëmbëdhjetë vjet.”

“Me rregulloren e UNMIK-ut, nr.199/24 datë 12.12.1999, që ka hy në fuqi me 10 qershor 1999, është shfuqizuar dënime me vdekje dhe nuk është përcaktuar dënimi me burg afatgjatë si zëvendësim. Pra, si alternativ e dënimit me vdekje ka mbetur dënimi me burg deri në pesëmbëdhjetë vjet”, thuhet në njoftim.

“Kjo gjykatë konsideron se drejtë ka vepruar gjykata e shkallës së parë kur ka gjetur se hetimet në këtë çështje penale kanë filluar menjëherë pas përfundimit të luftës me 1999, nga ana e institucioneve ndërkombëtare që kanë qenë të pranishme dhe kompetente për këtë.

Sipas Supremes, nga dëshmitë të cilat janë mbledhur në hetimet e zhvilluara nga hetuesit e Hagës për ish Jugosllavi (ICTY),UNMIK dhe EULEX, asnjëherë nuk është pretenduar nga askush, se i dënuari ka qenë pjesëmarrës në këto masakra.

“Këtë e dëshmojnë dëshmitarët okular të cilët që nga fillimi i hetimeve e kanë identifikuar si njërin prej atyre që kanë marrë pjesë në dëbimin, vrasjen, ushtrimin e dhunës ndaj popullatës civile shqiptare dhe vrasjen e anëtarëve të familjes G., vrasjen e J.K., B.G., M.P., R.K., A.I. dhe E.B. si dhe vrasjen e Z.G”.

Ndryshe në fshatin Sllovi në prill të 1999-tës, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Stanishiçi, siç kanë konstatuar tri shkallët e gjyqësorit asokohe ishte pjesë e një njësie rezervistësh të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore