Stil

Nëna ukrainase që e humbi syrin gjatë një tentim vrasjeje nga rusët, bëhet ylli i kopertinës “Playboy”


Një nënë ukrainase që humbi një sy në një atentat të dyshuar është shfaqur në rolin e modeles, si ylli i kopertinës në Playboy-in e parë të printuar që nga pushtimi rus.

Iryna Bilotserkovets, bashkëshorti i së cilës është ndihmës i kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko, pozoi me një maskë sysh dhe bikini metalike pasi u kap në një sulm me armë vetëm tre ditë pasi Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit të kaluar.

Nëna e tre fëmijëve po udhëtonte për në shtëpi me fëmijët e saj nëpër një lagje në Ukrainë kur makina e saj u godit nga plumba të shumtë, shkruan The Independent, transmeton AlbanianPost.

Duke folur për Playboy për jetën pas sulmit, ajo tha se doktorët nuk i dhanë asaj shumë shpresa, se do të shpëtonte.

“Mjekët në Ukrainë thanë se ndoshta do të vdisja. Unë nuk isha dakord”, ka thënë Iryna.

Modelja dhe prezantuesja televizive u detyrua t’i nënshtrohej një operacioni të madh rindërtues në një spital në Berlin dhe që atëherë është bërë një simbol i rezistencës në Ukrainë.

Gjatë operacionit, Bilotserkovets humbi një sy dhe mbeti me një nofull të thyer dhe plagë të konsiderueshme në trupin e saj.

“Nuk ishte fjala për të ruajtur bukurinë time, ishte një çështje nëse do të jetoja apo jo”, tha ajo.

Bilotserkovets u shfaq në kopertinën e Playboy si pjesë e edicionit të tyre “Femrat qëndrojnë të forta”, i cili shikon “rezistencën e grave ukrainase që janë plagosur gjatë luftës, por që nuk e kanë humbur etjen e tyre për jetë”.

Duke folur për plagët e marra në sulm, ajo tha: “Qepje, plagë, plagë gjithandej. Isha thjesht përbindëshi i Frankensteinit. Më ishte copëtuar nofulla, si një thupër”.

“Unë nuk kam më një fytyrë të bukur, por pjesa tjetër e trupit tim mbetet akoma e bukur”, shtoi ajo.

Në një deklaratë, revista amerikane e quajti atë “heroinën” e edicionit të ri.

Ky botim shënon herën e parë që Playboy ka printuar një numër në 18 muajt e fundit pasi vendosi të hyjë të publikohet vetëm online, prej fillimit të pandemisë së Koronavirusit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore