Lajme

Në 23 seanca, deputetët e Kosovës munguan 440 herë


Kuvendi i Kosovës

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur të premten konferencë për media me rastin e publikimit të raportit të monitorimit dhe vlerësimit të performancës së Kuvendit të Kosovës gjatë sesionit pranveror 2021, e cila u karakterizua me një ritëm të ngadaltë të punës në procesin legjislativ por me performancë më të mirë në rolin mbikëqyrës.

Mungesat e shumta të deputetëve në seancat e Kuvendit të Kosovës, e kanë karakterizuar sesionin pranveror 2021 në këtë institucion, sipas KDI-së.

Agnesa Haxhiu nga KDI ka thënë se deputetët kanë munguar 414 herë në seanca.

“Janë mbajtur 23 seanca. Një problematikë janë mungesat e shumta të deputetëve në seanca që ndikon në punën e Kuvendit. Deri në fund të korrikut deputetët kanë munguar 414 herë. Ky sesion është shënuar me numër te vogël të ligjeve, vetëm 7 sosh për dallim nga 10 sa ishin vitin e kaluar në këtë periudhë”, ka thënë Haxhiu.

Ajo shoti se ka pasur ngritje të performancës në rolin mbikëqyrës përmes parashtrimit të pyetjeve të deputetëve në drejtim të qeverisë.

“Ka ngritje të përformancës në rolin mbikëqyrës përmes parashtrimit të 108 pyetjeve të deputetëve në drejtim të Qeverisë. Janë shënuar 31 raportime të ministrave në komisione, që krahasuar me periudhën e kaluar janë 8 raportime më shumë”.

Agnesa Haxhiu nga KDI

Ndonëse në legjislaturën e kaluar ishte sfidë arritja e kuorumit edhe për ligjet bazike që kërkojnë shumicë të thjeshtë të votave, gjithsesi pavarësisht që kjo legjislaturë ka një shumicë të konsoliduar mungesa e kuorumit vazhdoi të jetë prezentë.

“Mospjesëmarrja e opozitës në votim, e ka shndërruar në sfidë kryesore të Kuvendit, arritjen e kuorumit në vendimmarrje në pikat që kërkonin 2/3 e votave të të gjithë deputetëve, siç ishte rasti me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”.

Haxhiu vlerësoi se një tjetër aspekt që e karakterizoi sesionin pranveror ishte procesi i shkarkimit të plotë të bordeve të institucioneve të pavarura dhe shkarkime individuale duke nxitur mospajtime mes shumicës parlamentare dhe opozitës.

Pavarësisht këtyre mospajtimeve, Kuvendi me shumicë votash ka shkarkuar bordet e katër institucioneve të pavarura siç janë: bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), bordin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), bordin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), bordin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH) si dhe një anëtar të bordit të KOSTT-it.

Tutje u dha rekomandimi që Qeveria të ndërtojë qasje bashkëpunuese me opozitën për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe se mungesa e deputetëve duhet të adresohen përmes rregullores dhe të sanksionohen.

Ndryshe, të enjten, e 12 gushtit, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e shpalli të mbyllur sesionin pranveror për Kuvendin e Kosovës

“Sot, po e shpallim të mbyllur sesionin pranveror për Kuvendin e Kosovës dhe që nga ky moment kuvendi zyrtarisht shkon në pushim deri kur të kthehemi për sesionin vjeshtor”, tha Konjufca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore