Lajme

Ndalimi i dinarit, Serbia dorëzon kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të KS të OKB-së


Ambasadori i Serbisë në Misionin e OKB-së, Nemanja Stevanoviç, ka dorëzuar këtë të hënë kërkesën e Serbisë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të situatës në Kosovë, raportojnë mediat serbe.

Kërkesa është dorëzuar në përputhje me nenin 35 të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe nenin 3 të Rregullores së Përkohshme të Punës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Siç thuhet në letrën, e cila do t’u dërgohet të gjithë përfaqësuesve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, presidentëve dhe kryeministrave të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë Rusinë dhe Kinën, situata në Kosovë është në kontrast të thellë me Kartën e OKB-së, Rezolutën 1244 dhe është e një natyre të tillë që kërkon mbajtjen e një sesioni të posaçëm të Këshillit të Sigurimit.

Gjatë së hënës, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, në një intervistë për mediumin serb në Kosovë, Kosovo-online, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është faktori kryesor de-stabilitetit, derisa këtë të fundit e ka quajtur “fuqi baruti” që mund ta ndezë gjithë rajonin.

“Situata në Kosovë është shumë dramatike dhe tregon se kemi pasur të drejtë gjatë gjithë këtyre viteve kur kemi thënë se Kurti është faktori kryesor i de-stabilitetit, se është një fuçi baruti që mund të ndezë gjithë rajonin”, tha Daçiç.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë shprehur të shqetësuara pas veprimeve të autoriteteve të Kosovës pas mbylljes së objekteve të “institucioneve të administruara nga Serbia” në Dragash, Pejë, Istog e Klinë dhe zyrën e një organizate joqeveritare në Prishtinë.

ShBA-ja dhe BE-ja i kanë bërë thirrje sërish Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e autoriteteve financiare për paratë e gatshme, me anë të të cilit ndalohet përdorimi i dinarit serb në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore