Lajme

Naim Tërnava: Respektoni masat anti COVID, e kemi obligim të ruajmë veten dhe shoqërinë


Është viti i dytë që muaji i shenjtë i ramazanit po shënohet në kohë pandemie.

Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava në porosinë e tij për Ramazanin uroi besimtarët myslimanë për agjërimin, veçanërish ata që janë në vijë të parë të frontit, në mbrojtje nga ky virus.

“Me këtë rast, më lejoni që t’i përgëzojë të gjithë ata që janë në rreshtin e parë të përballjes me këtë virus. Lusim Zotin që të gjithë ata që kaluan në botën tjetër t’i marrë në mëshirën e Tij, ndërsa të infektuarve ju dëshirojmë shërim të shpejtë, e të tjerët, Zoti i ruajt nga prekja me këtë virus”.

Në të njëjtën kohë ai bën thirrje që të respektohen masat anti COVID.

“Përveç kësaj, është obligim ynë që ta ruajmë veten, familjen e shoqërinë nga infektimi. Ju ftoj që t’u respektoni masat anti covid, me shpresë tek i Madhi Zot që shumë shpejt edhe ne ta kemi vaksinimin e popullatës dhe kështu ta tejkalojmë edhe këtë sfidë të kohës me të cilën po përballemi qe më shumë se një vjet”.

Tërnava thotë se përmes agjërimit, myslimanët në mënyrën më të përsosur manifestojnë ndjeshmërinë e besimi në Zot.

“Jemi në vigjilje të fillimit të muajit të bekuar Ramazan andaj më lejoni që në këtë natë të madhe t’iu drejtohem të gjithë besimtarëve dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë me urime dhe përgëzimet më të mira të uroj fillimin e këtij muaji i cili është i veçantë për besimtarët myslimanë kudo që ata gjenden”, ka thënë Tërnava.

Myftiu Tërnava, ka thënë se muaji i Ramazanit, ndër të tjerash sjell edhe solidaritet e përgjegjësi tek besimtarët myslimanë të cilët agjërojnë gjatë këtij muaji.

“Dimension tjetër i ramazanit është edhe aspekti shoqëror e social, sepse përmes ibadetit të agjërimit, tek shoqëria arrin ndjeshmërinë për tjetrin, dhe afron familjet e farefisin ndërmjet vete, në të njëjtën kohë e bën besimtarin, më të vetëpërmbajtur, më të përgjegjshëm, dhe më solidar me të gjitha kategoritë e shoqërisë”, ka thënë ai.

Në një paraqitje të drejtë për drejtë nga zyra e tij, Tërnava thekson se me anë të agjërimit besimtarët lidhen më tepër se asnjëherë me Krijuesin e tyre, dhe e zgjerojnë ndjesinë e besimit në Zot.

“Përmes agjërimit të muajit të madhërishëm Ramazan besimtarët myslimanë në mënyrën më të përsosur manifestojnë ndjesinë e besimit në Zot, përgjegjësinë për të ndjekur e zbatuar urdhrat dhe mësimet e tij si dhe gatishmërinë për të sakrifikuar me përkushtimin e vetëm për Krijuesin e Gjithësisë”, thotë ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore