Lajme

Nagip Krasniqi mbetet në paraburgim edhe për dy muaj


Nagip Krasniqi

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj, kryeshefit të pezulluar të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i cili po dyshohet nga organet e drejtësisë për korrupsion.

“Gjykata me datë 19 (të premten), ia ka vazhduar masën e paraburgimit për dy muaj. Pala ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit”, tha Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi“.

Mbrojtja e Nagip Krasniqi ka kërkuar ai të lirohet nga paraburgimi dhe atij t’i caktohet një masë më e butë me qëllim që të sigurojë praninë e tij në procedurën penale, por kërkesën e trupit mbrojtës e refuzoi Gjykata Supreme më 17 maj.

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë ndaj të pandehurit N.K., të paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës”.

Nagip Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i vendosur në krye të KEK-ut përmes lidhjeve me partinë në pushtet, është arrestuar të mërkurën e 19 prillit me urdhër të Prokurorisë Speciale, nën dyshimet për kryerjen e tri veprave penale.

Krasniqi para kësaj pozite ishte drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa arrestimi i tij ka ardhur pas bastisjes së zyrave të KEK-ut pasditen e së mërkurës nën dyshimin për veprat penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, “Ushtrimi i ndikimit’’ dhe “Konflikti i interesit’’.

Ai po dyshohet për keqpërdorime në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për kryerjen e punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

Emri i tij është përmendur edhe në rastin e skandalit financiar në Slloveni, ku dyshohet të jetë përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, me të cilin Krasniqi raportohet se ishte takuar në Kroaci gjatë muajit mars të vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore