Zgjedhjet në Shqipëri

Mziu nga Maqellara: Kush prek votën, do e pësojë si ai në Elbasan


Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Dibrës, Xhelal Mziu, ka thënë publikisht në një tubim të demokratëve ditën e djeshme, se grupet e tyre janë gati dhe kush tenton të prekë votën, do ta pësojë si Pjerin Xhuvani në Elbasan.

Në video duket qartësisht kandidati demokrat, i cili bën këtë thirrje ndaj mbështetësve.

“Kemi ngritur grupet e gatshme. Nga sot e në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe do ta pësojë si ai në Elbasan”.

Kjo thirrje vjen pas incidentit të djeshëm në Maqellarë. Aty, një grup i gatshëm i demokratëve pretendoi se ndaloi disa socialistë, të cilët po blinin votat e qytetarëve.

Policia e Dibrës ndërkaq, ende nuk ka publikuar detaje mbi ngjarjen.

Çfarë ndodhi në Elbasan?

Më 21 prill, Elbasani dhe gjithë Shqipëria u tronditën nga një vrasje e ndodhur në qytetin qendror shqiptar. Arbër Paplekaj, pjesë e një grupi të gatshëm të PD-së, vrau Pjerin Xhuvanin, ish-drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim në qark dhe plagosi katër të tjerë.

Ndër ta, edhe një efektive të forcave speciale Shqiponja.

Akuza janë ngritur ndaj dhjetë personave për ngjarjen e Elbasanit. Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka sqaruar se “asnjë material që sugjestionon shit-blerjen e votës, nuk është gjetur në mjetet e sekuestruara”.

Reagimet nga politika dhe ndërkombëtarët kanë qenë të shumta. Këta të fundit, veçanërisht ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, ka kërkuar nga palët politike “të mos përfshihen në akte dhe thirrje dhune, por të apelojnë për qetësi”.

Pamjet e Dibrës nga ana tjetër, nuk janë aspak reflektuese të kësaj qetësie të kërkuar.

Nga faktori politik, një angazhim i pazakontë me çështjen ka qenë ai i presidentit Ilir Meta. Në çastin kur krerët e lartë të PD-PS, Edi Rama dhe Lulzim Basha kërkonin qetësi, presidenti bënte thirrje “për të mprehur sfurqet, kosoret dhe sëpatat”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore