Zgjedhjet në Shqipëri

Elbasani/ 24 orë tensioni në vend


Elbasani është tronditur të mërkurën e 21 prillit nga një vrasje – vrasje e cila mori sfond tërësor politik, vetëm tri ditë përpara përfundimit të fushatës elektorale, që paraprin zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Arbër Paplekaj, ish-punonjës i forcave RENEA dhe shoqërues i kandidatit demokrat për deputet në Elbasan, Gazment Bardhi, qëlloi për vdekje Pjerin Xhuvanin, ish-drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan. Katër të tjerë u plagosën në ngjarje, ndër të cilat një efektive e forcave “Shqiponja”.

Gjithë Shqipëria i ktheu sytë nga kjo ngjarje e rëndë, duke zhvendosur edhe vëmendjen e fushatës zgjedhore.

Autori është vënë nën pranga pak pas ngjarjes, ku është shoqëruar në komisariat. Deklarata e tij ka qenë se “sulmi ka ndodhur për vetëmbrojtje”.

Mbi 20 persona janë shoqëruar drejt komisariatit. Ndër ta, dy kandidatë demokratë: Gazment Bardhi dhe Luçiano Boçi.

Puna për kapjen e të dyshuarve të tjerë të përfshirë në ngjarje, vazhdon nga forcat e policisë.

Ritvan Sukaj ndërkaq, prokurori i ngarkuar me çështjen, ka qenë i pranishëm herë pas here në vendngjarje, ku ka kryer këqyrjen dhe mbledhjen e provave.

Gjithsesi, se nga ka nisur sulmi, zyrtarisht ende nuk dihet.

Në pamjet e vendit të ngjarjes mëngjesin e 22 prillit, vendi i ngjarjes është pastruar tashmë. Një vazo me lule është vendosur në pikën ku ka mbetur i vrarë Xhuvani. Njollat e gjakut mbeten akoma të freskëta në tokën elbasanase.

Sulmet politike

Menjëherë pas ngjarjes, një video e demokratit Bardhi ka qarkulluar në media. Aty, ai shfaqte shqetësimin se po kërkohej shitblerja e votës në Elbasan. Për ngjarjen, asnjë fjalë e thënë.

Në fakt, u desh kohë të kishte reagime nga palët politike. Reagime, të cilat nisën fillimisht në media sociale dhe, më pas, u transferuan në media televizive.

Çuditërisht, reagimi i parë real, erdhi nga personi mbi palët politike, Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

“Dihet se nga vjen gjithë ky tension”, deklaroi Meta mbi ngjarjen e Elbasanit. “Vjen nga personi që shkeli marrëveshjen e 5 qershorit, sepse ka tmerr nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kështu mendon se mund të bëjë edhe me zgjedhjet e 25 prillit”.

Këtë deklaratë, kryeministri Edi Rama nuk e lejoi të anashkalohej. Mbi çështjen, ai komentoi gjatë, ku akuzat kryesore shkonin ndaj Metës.

“Ilir Meta është i papërmbajtur. Shfaqet si një gogol që kërkon të nxijë një proces të festës demokratike, pavarësisht përplasjes së palëve”.

Gazment Bardhi, sipas kryeministrit, ka gjithashtu përgjegjësi të madhe për ngjarjen. “Ai ka përgjegjësi të madhe për fjalët që nxori dhe gjestin makabër që bëri, duke mbajtur fjalime dy metra nga xhenazja”.

Fakti, sipas Ramës, është se, “nëse ngjarja do të kishte kahe të kundërta, nuk mund të mendohej çdo të ndodhte”.

“Imagjinoni nga furgoni të hapej zjarr e të vritej dikush. E nga aty të dilte Taulant Balla të mbante fjalim, të akuzonte dhe të ikte”, ka shtruar çështjen Rama.

Nga Basha, do të vinte një reagim i thjeshtë, por pa e përmendur konkretisht Elbasanin. “Partia Demokratike e refuzon dhunën dhe mbron demokracinë”.

Një reagim që e bëri edhe vetë Rama. “Nuk kemi dalë në fushatë që të plagosen njerëz”, theksoi ai.

Ftesa për Bashën ndërkaq, mbetet e hapur nga ana e Ramës, ku kryeministri e vlerësoi kryeopozitarin si një “politikan që di të përmbahet kur duhet”.

Ndërkombëtarët kërkojnë hetim

Dy prezencat më të rëndësishme në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë qenë të qarta në qëndrimet e tyre për ngjarjen.

Hetim dhe zbardhje të menjëhershme të ngjarjes!

“Kemi ndjekur raportimet për dhunën në Elbasan sot, e cila përfundoi në vdekjen e një personi dhe plagosjen e të tjerëve”, shkruhej në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

“Ne u bëjmë thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit”.

Nga BE-ja, e njëjta gjë.

“Aktet e dhunshme që ndodhën sot në Elbasan duhet të hetohen menjëherë nga autoritetet. Duhet qartësi dhe përgjegjësi për zbardhjen e ngjarjes”.

Zbardhje e plotë që pritet ende të ndodhë, në gjithë dinamikën e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore